Carlos: Brazili ka humbur thelbin dhe lojën e bukur, nuk është siç ishte dikur

Legjenda braziliane e futbollit, Roberto Carlos, beson se Brazili nuk është i njëjti si dikur.

Sipas ish-mbrojtësit të majtë, Brazili nuk tregon të njëjtin futboll sikur në kohën e tij.

Duke folur për “The Telegraph”, Carlos tha se Brazili ka humbur lojën e bukur.

“Brazili ka humbur thelbin e tij, lojën e bukur [jogo bonito]”, tha ai.

“Ne sulmuam si ekip, por gjithashtu u mbrojtëm shumë më mirë se tani. Ne ishim shumë të sigurt në lojën tonë pozicionale”, shtoi 49-vjeçari.

Megjithatë, ish-mbrojtësi i Real Madridit beson se është rasti ideal që Brazili të fitojë titullin pasi që sipas tij, “është e vetmja mënyrë për t’i mbajtur njerëzit të lumtur”. Arsyeja është e thjeshtë për të: “Brazili është një vend futbolli. Nuk kemi fituar për një kohë të gjatë, është momenti perfekt” .

Kujtojmë se Brazili, që është në grup me Zvicrën, Kamerunin dhe Serbinë, vlerësohet si një prej kombëtareve favoritet për të triumfuar në këtë turne.