Cakaj takon Konjufcën: Kufiri Kosovë-Shqipëri duhet të hiqet menjëherë

Cakaj falënderoi edhe njëherë popullin e Kosovës për ndihmën e dhënë në rastin e tërmetit tragjik, ku shtoi se kufiri Kosovë-Shqipëri duhet të hiqet menjëherë.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ndodhet në një vizitë zyrtare në Kosovë nga ku ka deklaruar se kufiri Kosovë-Shqipëri duhet të hiqet menjëherë.

“Jam tepër i nderuar që jam këtu në Prishtinë. Populli i Kosovës ka shfaqur një solidaritetit që ka sfiduar edhe kufijtë e të besueshëm, institucionet civile e ushtarake kanë bërë një punë të pashembullt e Qeveria ka dhënë një financim të vyer për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit. Kufiri që ndan dy vendet tona është vetëm simbolik. Ky kufi nuk duhet të ekzistojë fare, duhet të hiqet menjëherë”, tha Cakaj.

Takimin e parë Cakaj e ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca me të cilin siç tha ai trajtuan disa probleme që janë thelbësore për bashkëpunimin e mëtejmë. Ai ka theksuar ndër të tjera se është shprehur gatishmëria për zhvillimin e ambasadave të përbashkëta dhe ka lajmëruar nënshkrimin e dy marrëveshjeve.

“Ne jemi të gatshëm edhe në një numër të konsiderueshëm që të vazhdojmë në të njëjtën praktikë. Dua të theksoj se marrë parasysh se kemi nevojë për konkretizim të bashkëpunimit dhe mbledhje të dy qeverive, i kam propozuar z.Konjufca dy marrëveshje fillestare, e para është që duhet të mblidhemi që të firmosim një marrëveshje për ndarje të shpenzimeve në një fushatë për lobimin e njohjeve të Kosovës. Marrëveshja e dytë është ajo për transmetimin e përvojave në procesin e integrimit evropian”, ka thënë ministri në Detyrë Cakaj. / Opinion.al