Britani: Gratë shtatzëna tani kanë të drejtë të vaksinohen kundër COVID-19

Autoritetet shëndetësore britanike kanë njoftuar të premten, se tani gratë shtatzëna kanë të drejtë të vaksinohen kundër COVID-19.

Krejt kjo duke u bazuar në të dhënat nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që treguan se rreth 90 mijë gra shtatzëna të vaksinuara nuk kanë pasur ndonjë problem shëndetësor.

Autoritet shëndetësore britanike rekomanduan për gratë që duan të mbesin shtatzëna, që janë shtatzëna, kanë lindur kohëve të fundit apo janë duke dhënë gji mund të vaksinohen me cilëndo vaksinë të mundshëm, mirëpo të dhënat nga hulumtimet i shtyn autoritetet shëndetësore të rekomandojnë vaksinat Pfizer dhe Moderna, raporton The New York Times.

Në fillim të pandemisë, Britania kishte rekomanduar kundër vaksinimit të grave shtatzëna, sepse nuk kishte hulumtime të mjaftueshme që sugjeronin se vaksinimi i grave shtatzëna është i sigurt.

Mirëpo muajin e kaluar, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomanduan që gratë shtatzëna mund të vaksinohen, por gjithmonë duke u konsultuar me mjekët e tyre.

OBSH kufizon rekomandimet e tyre për gratë shtatzëne që janë në rrezik të lart të infektimit të koronavirusit, siç janë punonjëset shëndetësore dhe ato me sëmundje përcjellëse.

Gratë shtatzëne përballen me një rrezik të lartë të sëmundjes dhe vdekjes nëse ato infektohen me koronavirus.

Sipas një analize të 40 studimeve në 17 vende të botës nga revista mjekësore Lancet Global Health, ka thënë se gjatë pandemisë, më shumë gra shtatzëna kanë përjetuar komplikime ose kanë lindur fëmijë pa shenja jete.