Borrell: Prishtina dhe Beogradi kanë marrë tekstin e përditësuar të planit franko-gjerman

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka konfirmuar se Beogradi dhe Prishtina kanë marrë tekstin e përditësuar të të ashtuquajturit plani franko-gjerman për dialogun.

“Versioni i fundit i tekstit është dërguar dje në Serbi dhe sot në Kosovë. Ata [Kosova dhe Serbia] tani duhet të angazhohen në diskutime serioze sepse në këtë moment ekziston një mundësi e madhe”, tha Borell në Tiranë, ku po merr pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Plani i Bashkimit Evropian, i cili mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pjesë integrale e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, më 6 dhjetor ka vizituar Prishtinën, ku është takuar me kryeministrin, Albin Kurti. Ndërsa një ditë më herët, ai qëndroi në Beograd, ku takoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Ende nuk ka informacion zyrtar se çfarë përmban teksti për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Më 24 nëntor, paralajmëroi se në ditët në vijim do t’i ftojë liderët e të dyja shteteve në Bruksel për të diskutuar për “Propozimin e Brukselit”, të mbështetur nga Franca dhe Gjermania.

Që nga vera nëpër duart e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë është duke qarkulluar një dokument që u quajt plani franko-gjerman, e që sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, ka për qëllim normalizimin e raporteve mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ky dokument është një propozim i mbështetur nga Franca dhe Gjermania, por që zyrtarët e BE-së e quajtën ‘propozim evropian’.

Derisa dokumenti nuk ka dalë zyrtarisht në opinion, nga goja e politikanëve në Kosovë, e po ashtu edhe në Serbi kanë dalë detaje të rëndësishme.

Portali informativ Euractiv, publikoi më 9 nëntor një dokument, për të cilin tha se është draft i propozimit franko-gjerman.

Dokumenti i publikuar përmban 9 nene.

Fillon me pajtim për marrëdhënie normale mes Kosovës dhe Serbisë, angazhimin për integrim në BE, zgjidhjen e mospajtimeve dhe respektimin e integritetit territorial, respektimin e subjektivitetit të njëra-tjetrës, respektimin e ndërsjellë të juridiksionit, zotimin për rritje të bashkëpunimit në fusha të ndryshme përfshirë ekonomi, shkencë, gjyqësor, fushën e mbrojtjes etj. E, po ashtu, edhe shkëmbimin e misioneve të përhershme si dhe e fundit, pajtimi i palëve që kjo marrëveshje nuk ndikon në marrëveshjet e arritura më parë.

Autenticiteti i këtij dokumenti nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë.

Ndërkombëtarët e përfshirë në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Borrell dhe Lajçak, përveç se konfirmuan ekzistencën e planit, thanë se ai ishte propozim i tyre dhe se ishte mbështetur nga Gjermania dhe Franca në veçanti.