Borrell: Besueshmëria e BE-së në rrezik, shkak mospërfillja e GJND-së nga Izraeli

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se blloku evropian është i rrezikuar nga shpërfillja e izraelitëve ndaj urdhrave të lëshuara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për të ndaluar operacionet ushtarake në Rafah.

“Futja e paralajmërimeve, kundërshtimeve ose përjashtimeve të bazuara në baza jo ligjore dëmton rendin e bazuar në rregulla, dëmton vlerat tona dhe do të dëmtojë pozitën tonë ndërkombëtare dhe do të dobësojë pozicionin tonë për çështje të tjera përfshirë Ukrainën”, tha ai.

“Nëse njëra nga palët nuk është e kënaqur me vendimin e Gjykatës, sigurisht që mund të drejtojë një kërkesë specifike për interpretim, por jo ta shpërfillë atë”, shtoi Borrell.

Ai në një postim në blog tha gjithashtu se BE-ja duhet të bëjë më shumë, dhe se besueshmëria e tyre është në rrezik, raporton Klankosova.tv.

“Është koha që BE-ja të marrë përgjegjësitë e saj përballë një situate katastrofike të një përmasash të paprecedentë. Ne duhet të veprojmë. Besueshmëria jonë morale dhe politike është në rrezik”.