Blinken në Lindjen e Mesme për një armëpushim të ri në Gazë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është nisur për në Lindjen e Mesme më 5 shkurt në përpjekje për të arritur një marrëveshje të re të armëpushimit në luftën mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Në turneun e tij të pestë në rajon që kur Hamasi kreu sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit, sulm që nxiti luftën, Blinken pritet të vizitojë Arabinë Saudite, Izraelin, Egjiptin dhe Katarin.

Para këtij udhëtimi, kryediplomati amerikan theksoi nevojë “për adresimin urgjent të kërkesave humanitare në Gazë”, pasi grupet e ndihmës vazhdimisht kanë ngritur alarmin për ndikimin shkatërrues të luftës pothuajse katërmujore në territorin e rrethuar.

“Situata është e papërshkrueshme”, tha Said Hamouda, palestinez që ka ikur nga shtëpia e tij dhe është zhvendosur në Rafah, qytet në kufi me Egjiptin.

Sipas Kombeve të Bashkuara, në Rafah tani gjenden mbi gjysma e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh, për shkak të sulmit të Izraelit.

Gjatë fundjavës, Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij në jug të Gazës, duke paralajmëruar se forcat tokësore mund të përparojnë drejt qytetit Rafah, si pjesë e fushatës së tyre për të zhdukur Hamasin.

 

Teksa lufta po vazhdon, Blinken pritet të diskutojë për një armëpushim të propozuar gjatë një takimi në janar në Paris mes zyrtarëve të lartë të SHBA-së, Izraelit, Egjiptit dhe Katarit.

Përpjekja diplomatike është bërë edhe më e urgjente pasi në mbarë rajonin janë rritur sulmet nga grupet e mbështetura nga Irani në solidaritet me Hamasit, sulme që kanë nxitur SHBA-në të përgjigjet me kundërsulme.

Armëpushimi i propozuar parasheh një pauzë të luftimeve fillimisht për gjashtë javë që Hamasi të lirojë pengje në këmbim të të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli.

Lufta u nxit nga sulmi i paprecedent i Hamasit në jug të Izraelit, kur u vranë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës izraelite, në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 27.000 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Kjo ministri, që nuk bën dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve të vrarë, ka thënë se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë./REL