​Bislimi: Kryetarët në veri mund të ushtrojnë përgjegjësitë vetëm nga ndërtesat e komunës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore mund të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre vetëm nga ndërtesat komunale.

Lidhur me këtë, ai ka biseduar me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, të cilën e ka pritur në takim.

Bislimi ka theksuar se është e rëndësishme që kryetarët në veri të fillojnë sa më parë ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

“Në lidhje me situatën në veri, u ritheksua se është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të fillojnë sa më parë me ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Si kryetarë tё komunave, ata mund tё ushtrojnë pёrgjegjёsitё e tyre vetëm nga ndërtesat e komunës, nga ku dhe shërbejnë për interesat e secilit qytetar pa dallim”, është bërë e ditur në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu është bërë e ditur se Bislimi e ka informuar zyrtaren e evropiane mbi procesin e dialogut dhe takimin e fundit të mbajtur në Bruksel.

Sipas komunikatës së Qeverisë, Bislimi ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që von Cramon e ka treguar për Kosovën.

“Përkrahja që vjen nga Parlamenti Evropian, është i çmueshëm për rrugëtimin evropian të Kosovës, e cila ecën paralelisht dhe me vizionin e vendit tonë drejt BE-së dhe suportin e qytetarëve të Kosovës ndaj integrimit në BE. Zëvendëskryeministri Bislimi, theksoi se institucionet tona janë të maturuara, të gatshme dhe të përgatitura për të kontribuar pozitivisht në përmbushjen e hapave të nevojshëm në kuadër të procesit të integrimit dhe avancimit tutje në proces”, ka bërë të ditur Qeveria.