“Bie” qeveria e Johnson, 17 ministra, nënsekretarë dhe sekretarë japin dorëheqjen në 24 orë

Breshëria e dorëheqjeve të deputetëve dhe ministrave konservatorë vazhdon. Pas dorëheqjes së djeshme të Rishi Sunak (Ministri i Financave) dhe Sajid Javid (Ministri i Shëndetësisë) , presioni ndaj kryeministrit britanik duket se po rritet, ashtu si edhe lista e ministrave të tij që largohen nga partia në pushtet.

E fundit në listë është Sekretarja për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale, Jo Churchill. Pak më parë, zëvendësministrja e Drejtësisë Victoria Atkins njoftoi dorëheqjen e saj – dorëheqja e shtatë e qeverisë sot.

“Vlerat si integriteti, dinjiteti, respekti dhe profesionalizmi duhet të kenë rëndësi për të gjithë ne. Unë kam parë me shqetësim në rritje se si këto vlera janë shkatërruar nën udhëheqjen tuaj, përmes Patterson, Partygate dhe Pincher.

Nuk do të doja t’ju ofendoja por këto fakte nxjerrin në pah se sa larg është qeveria juaj nga këto ideale. Nuk mund të bëj më piruetë rreth vlerave të tua të fajit. Ne mund dhe duhet të bëhemi më të mirë se kaq”, tha ajo.

Lajmi vjen vetëm pak kohë pas dorëheqjes së John Glenn, ministrit përgjegjës për shërbimet financiare, ndërsa Robin Walker dhe Will Quince gjithashtu dhanë dorëheqjen si zëvendësministra të arsimit sot.

Laura Trott, e cila ishte Sekretare në Departamentin e Transportit, dha dorëheqjen më herët sot, ashtu si Felicity Buchan, Sekretare në Departamentin për Biznes, Energji dhe Strategji Industriale. Tani totali i dorëheqjeve ka arritur në 17.

Sajid Javid, i cili dha dorëheqjen si sekretar i shëndetësisë dje, duke shkaktuar një valë dorëheqjesh nga ministra të lartë dhe të rinj konservatorë, do të mbajë një deklaratë në Dhomën e Komunave pas pyetjeve drejtuar kryeministrit Boris Johnson së shpejti.

Ish-ministri do të përshkruajë arsyet e largimit në një deklaratë që mund të jetë e dëmshme për Boris Johnson. Burime pranë Boris Johnson, megjithatë, kanë thënë se ai nuk do të largohet nga Doëning Street, pavarësisht nga një rebelim në rritje kundër udhëheqjes së tij dhe një stuhi dorëheqjesh në nivele të ndryshme të qeverisë.

Nga ana tjetër, sigurisht që një pjesë e deputetëve konservatorë besojnë se Boris Johnson nuk do ta përballojë këtë krizë. Sipas burimeve, kryeministri britanik nuk do të largohet vullnetarisht, por përmes një votëbesimi.