Biden synon të zgjerojë fushatën e vaksinimit për adoleshentët

Presidenti amerikan Joe Biden ka bërë të ditura planet për të vaksinuar kundër koronavirusit 70 për qind të të rriturve amerikanë deri më 4 korrik.

Sipas tij vaksinimi i të rinjve të moshave 12-15 vjeç do të nisë sa më shpejt që është e mundur.

Synimi i ri i Bidenit përfshin vaksinimin e plotë të 160 milionë amerikanëve deri në Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Ky plan është bërë i ditur ndërkohë që 103 milionë amerikanë veçse janë vaksinuar kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.

Autoritetet amerikane janë duke vaksinuar aktualisht rreth 1 milion të rritur në ditë.

Biden ka thënë se administrata e tij është duke punuar për të fituar kundër “dyshuesve” të vaksinave.

“Në dy muaj, le ta festojmë pavarësinë e kombit dhe pavarësinë nga virusi. Ne mund ta bëjmë këtë. Ne do ta bëjmë këtë “, ka thënë Biden të hënën nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti demokrat ka prezantuar edhe një faqe të re online, vaccines.gov, të cilën mund ta shfrytëzojnë amerikanët për të gjetur më lehtë qendrat e vaksinimit, pas aneksave se procesi i regjistrimit ka qenë shumë i vështirë për disa persona.

Biden ka thënë se synimi i tij është që jeta t’i kthehet normalitetit nga 4 korriku.