Biden: Rusia s’mund të ndryshojë kufijtë me forcë

Presidenti i SHBA-së Xho Bajden tha se mesazhi i botës ishte i qartë, pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me shumicë dërmuese një rezolutë që dënon aneksimin e katër zonave të Ukrainës nga Rusia si të paligjshme. “Rusia po shkatërron themelet e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Rusia nuk mund të fshijë një shtet sovran nga harta. Rusia nuk mund të ndryshojë kufijtë, nuk mund të marrë në kontroll territorin e një vendi tjetër duke e cilësuar pjesë të saj”, tha Bajden. Rreth 143 anëtarë të Kombeve të Bashkuara votuan për të dënuar përpjekjen e paligjshme të Rusisë për aneksimin e Luhanskut, Donetskut, Hersonit dhe Zaporozhias. Vetëm katër anëtarë të OKB-së mbajtën anën e Moskës – Bjellorusia, Koreja e Veriut, Nikaragua dhe Siria.