Aksion antidrogë në Shqipëri, arrestohen 24 persona

Policia e Shkodrës ka njoftuar sot përmbylljen e një operacioni të gjerë antidrogë me katër faza.

Sipas policisë, janë sekuestruar gjithsej 191 kilogramë kanabis, 456 bimë kanabis, janë arrestuar në flagrancë 24 shtetas dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë.

“Po gjatë mega operacionit të shtrirë në harkun kohor njëjavor, si rezultat i kontrollit të territorit dhe verifikimit të koordinatave të nxjerra nga monitorimi ajror, janë gjetur dhe asgjësuar në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, 355 bimë kanabis, të kultivuara në mini-parcela, në zona të pyllëzuara. Operacioni vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, njoftojnë nga policia shqiptare.