Biden: Problemi i inflacionit në rritje, ndryshimi i këtij trendi është prioritet

Presidenti i SHBA-së Joe Biden, administrata e të cilit dikur e minimizoi inflacionin si një sfidë të përkohshme, u zotua sot se do të adresojë shqetësimin për rritjen e çmimeve pasi të dhënat e publikuara rishtazi treguan se pagat e amerikanëve nuk po rriten aq sa më parë.

Çmimet u rritën 6.2 për qind në tetor në krahasim me vitin e kaluar, duke shënuar rritjen më të madhe në tre dekada, sipas Byrosë së Statistikave të Punës në SHBA. Gjithashtu, çmimet u rritën me 0.9 për qind nga shtatori në tetor.

“Inflacioni i dëmton xhepat e amerikanëve dhe ndryshimi i këtij trendi është një prioritet për mua”, tha Biden në një deklaratë.

Komentet e presidentit përfaqësojnë një gatishmëri të re për t’u përballur drejtpërdrejt me problemin, të cilin Rezerva Federale në SHBA e ka përshkruar vazhdimisht si kalimtare ndërsa republikanët kanë akuzuar administratën për neglizhencë.

Shkalla e papunësisë ra në 4.6 për qind muajin e kaluar, një shenjë e rimëkëmbjes së vazhdueshme nga recesioni i thellë i shkaktuar nga pandemia.

Biden fajësoi inflacionin për rritjen e çmimeve të energjisë.

“Kam urdhëruar Këshillin Ekonomik Kombëtar të ndjekë rrugën e duhur për të reduktuar më tej këto çmime dhe i kam kërkuar Komisionit Federal të Tregtisë që të kundërpërgjigjet ndaj çdo manipulimi të tregut apo rritjes së çmimeve në këtë sektor”, tha ai.