Biden pritet ta ndalojë sot importin e naftës nga Rusia

Presidenti amerikan Joe Biden pritet t’i ndalojë sot importet e naftës, gazit natyror dhe qymyrit rus në SHBA, sipas tre burimeve të njohura me vendimin, raporton CNN.

SHBA-ja do ta bëjë këtë lëvizje në mënyrë të njëanshme, pa aleatët e saj europianë, për shkak të mosmarrëveshjes midis shteteve europiane nëse ato do ta ndalojnë energjinë ruse, përcjell Gazeta Express. Vendet e BE-së janë dukshëm më të mbështetura te energjia ruse sesa SHBA-ja.

Pasi pak orësh, Biden pritet t’i drejtohet kombit në lidhje me këtë çështje.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë sot se është kruciale për vendet europiane që të ndalojnë së mbështeturi te energjia ruse, sidomos tani kur lufta në Ukrainë po vazhdon.

Duke folur në një konferencë të përbashkët me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, Blinken tha se kjo është “një mundësi, jo vetëm e rëndësishme, por e domosdoshme për të hequr përfundimisht, për shumë vende në Europë, varësinë nga energjia ruse, sepse Rusia e përdor atë si armë”.