Biden dhe Zelensky flasin sërish, diskutojnë për sanksionet

Presidenti i ShBA-së Joe Biden dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky, në bisedën e fundit që ka zgjatur 30 minuta, diskutuan për “mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së për Ukrainën ndërsa ajo mbrohet nga agresioni rus”.

Biden, tha Shtëpia e Bardhë, theksoi “ndihmën e qëndrueshme të ShBA-së për Ukrainën, duke përfshirë dhënien e vazhdueshme të ndihmës për sigurinë, mbështetjen ekonomike dhe ndihmën humanitare”.

Të dy liderët kanë diskutuar përpjekjet e ShBA-së dhe aleatëve për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse, duke përfshirë sanksionet, thuhet në raport.

Biden dhe Zelensky diskutuan gjithashtu përshkallëzimin e sulmeve të martën, duke përfshirë edhe atë pranë një memoriali të Holokaustit, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

“Udhëheqësit diskutuan përshkallëzimin e sulmeve të Rusisë në vendet e përdorura nga civilët në Ukrainë, duke përfshirë bombardimin e sotëm pranë memorialit të Holokaustit”, sipas Shtëpisë së Bardhë.