Bërnz e përshëndeti suksesin e arritur të përbërjes së deritashme parlamentare

Pas shpërndarjes së përbërjes së nëntë parlamentare në historinë e Maqedonisë së Veriut, do të doja ta përshëndes suksesin e rëndësishëm të arritur në tre vitet e kaluara, ka shkruar sot ambasadorja amerikane Kejt Mari Bërnz në profilin në Fejsbuk të Ambasadës amerikane në Shkup.

Ky sukses sipas Bërnzit, përfshin ratifikimin e Protokollit të anëtarësimit në NATO, Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë si dhe miratimin e ligjeve të Agjencisë për siguri nacionale, Ligjit të gjuhëve, ndryshimet e Ligjit për Mbrojtje, Ligjit për mbrojtje dhe parandalim të diskriminimit si dhe Ligjit për Prokurori publike.

“Këto arritje e paraqesin përkushtimin e Maqedonisë së Veriut në listën e reformave që zbatohen për hir të qytetarëve të saj dhe të ardhmes së sigurt transatlantike”, ka thënë ambasadorja Bërnz.