Berisha: Marrëveshja serbo-ruse, kërcënim i ri për Ballkanin Perëndimor

Kryetari i PD-së në Shqipëri, Sali Berisha, ka reaguar pas marrëveshjes mes Serbisë dhe Rusisë për politikën e jashtme, duke thënë se kjo marrëveshje dëshmon qartë dhe përfundimisht se Serbia po sillet si Rusi e vogël dhe se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është “një Putin i vogël në Rajonin tonë”.

“Marrëveshja e Beogradit me Moskën pas agresionit rus në zemër të Europës ndaj një vendi të lirë, Ukrainës, fakton se sa iluzive janë përpjekjet për të shkëputur Putinin e vogël të Serbisë nga Putini i Madh i Rusisë”, ka shkruar Berisha në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Tutje Berisha tha se kjo marrëveshje dëshmon se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po punon me përkushtim për destabilizimin e rajonit dhe kundër interesave kombëtare të shqiptarëve.

“Duke dënuar me forcë këtë si një kërcënim për paqen në rajonin tonë, shtoj se marrëveshja për bashkëpunim në politiken e jashtme midis Moskës dhe Beogradit provon gjithashtu se Edi Rama, ky vasal i Vuçiçit me mbështetjen e ‘Ballkanit të Hapur’ po punon me përkushtim për hegjemoninë ruso-serbe dhe destabilizimin e rajonit dhe kundër interesave kombëtare të shqiptarëve”, deklaroi Berisha.