Berisha: Basha, peng i Ramës jo vetëm për lobim rus

“Alibeaj fshehu vëllain kriminel”

Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn i akuzoi sërisht pengje në krim me kryeministrin. Paraardhësin e tij në krye të Partisë Demokratike e shënjestroi jo vetëm për lobimin rus, ndërsa Alibeajn se ka fshehur të vëllanë kriminel.

“Mos mendoni se Lulzim Basha ka vetëm akuzën për larjen e parave. Jo, jo, ka të tjera. Zinxhiri i aferave të tij është i gjatë. Enkelejd Alibeaj ka fshehur të vëllanë e tij kriminel, i cili është arrestuar për rrëmbimin me armë në vendet e BE dhe sot nuk tregon se ku është. Ndan të fshehtat me Edi Ramën. Për këto rekorde kriminale mund të mos zgjidhej deputet, partnerja e tij mund të mos zgjidhej në gjykatë.”

Përçarjen e opozitës e cilësoi pengmarrje, teksa vleresoi aktin politik të dorëheqjeve të kandidatëve të Alibeajt nga zgjedhjet e 14 Majit.

“Unë i përgëzoj të gjithë ata që u larguan. Geni i tyre për pluralizmin i shtyu që të largohen ndaj këtij aventurieri. Prej këtij të papërgjegjshmi. Të dyve.”

Nga 14 Maji nuk ka ndërmend të tërhiqet, por Kryeministrin e paralajmëroi se po minon standartet e zgjedhjeve, me përdorimin e administratës, parave publike dhe së fundmi, edhe me rritjen e pagave dhe pensioneve.

“Të pretendojë ky se do të dyfishojë në 2 vite rrogat… Unë jam ish-kryeministër dhe një gënjeshtër të tillë unë nuk ja besoj kurrë atij. Po mashtron qytetarët. Rama po bën gjithçka që qytetarët shqiptarë të mos votojnë të lirë.”

Pa ironizuar nuk la edhe bashkëpunimin Balla-Alibeaj që tha se ekziston për ligjin e lustracionit.

“Ky është thjesht një kombinim i neveritshëm. Taulanti e mban peng me Taulantin.”

Tv Klan