Beogradi nën masa të rrepta sigurie, në rrugë dalin mjetet për shpërndarjen e protestuesve

Pjesëtarë të Xhandarmërisë serbe kanë mbërritur me autobusë pranë ndërtesës së Kuvendit të Serbisë dhe Pallatit të Vjetër në Beograd. Në gjithë qendrën e qytetit është shtuar prania policore, ndërsa forcat speciale janë vendosur para Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK), raporton portali „Nova.rs“.
Në qendër të Beogradit janë vërejtur edhe mjete të posaçme për shpërndarjen e protestave, ndërsa në autostradë është parë një kolonë furgonësh policorë.
Masat e shtuara të sigurisë vijnë në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi. Të drejtë vote kanë 6.451.292 qytetarë, ndërsa votimi zhvillohet në 8.392 vendvotime, të hapura nga ora 07:00 deri në 20:00.
Gjatë ditës së zgjedhjeve janë raportuar edhe disa incidente.
Mjetet e shfaqura sot në rrugët e Beogradit qytetarët i kishin parë për herë të parë gjatë protestave të verës së vitit 2025 në Novi Sad. Atëherë, ato u përdorën për të larguar protestuesit nga bulevardet dhe rrugët e gjera, ndërsa brenda tyre ndodheshin pjesëtarë të Xhandarmërisë serbe.