Bellanoc – Stançiq / Kush e çeli kufirin, polemika mes LSDM’së dhe BDl’së

Kufiri Bellanoc-Stançiç u hap por autoritetet ende nuk arrijnë të merren vesh se kush është më meritori për këtë. Kryetari i Komisionit për çështje ekonomike në LSDM, Fatmri Bytyqi, në Facebook-un e tij postoi një koment për hapjen e kufirit Bellanoc-Stançiq, ku mes tjerash në shkrimin thuhet “Të gjithë shkruajn dhe mburren për hapjen e pikës kufitare”. “Disa pëllasin, ndërsa disa punojnë”. Kush pëllet, Bytyqi nuk u përgjigj konkretisht

“Kufiri Bellanoc-Stançiq është projektuar mbrapsht në vitin 2010 dhe duheshin plot 10 vite që të vijë një koalicion qeverisës i cili udhëhiqet nga LSDM që ai kufi të bëhet realitet, pa marrë parasysh se kush janë partnerët e koalicionit”, deklaroi Bytyqi.

Bytyqi ka qenë një nga pesë ekspertët dhe i vetmi nga Maqedonia që kanë punuar në këtë projekt, i realizuar me ndihmën e BE-së përmes Instrumentit IPA për bashkëpunim ndërkufitarë me 1.2 milion euro, si dhe me bashkë-financim nga Ministria për vetëqeverisje lokale me 105 mijë euro. Këtë edhe ai vetë e shkroi në Facebook.

Edhe deputeti i LSDM-së Muhamed Zekiri, në Facebook-un e tij shkroi “Ne nuk flasim por veprojmë.”

Por edhe partnerët e koalicionit hapjen e kufirit e konsiderojnë si arritje të tyre. Deputeti i BDl-së Artan Grubi në “Facebook” shkroi:

“Pasaportat i hoqëm, kufijtë i bashkuam, rrugët po i ndërtojmë, po bëhemi 1.Shifeni gëzimin e madh të qytetarëve, pjesëmarrje masive, kjo flet për politikat e drejta të Ali Ahmetit dhe BDl-së.”

Edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osman shkroi se hapja e kufirit mban vulën e BDl-së.

“Vetëm me letërnjoftim i shkruar në shqip, kaluam të parët kufirin nga Likova në Gjilan! Çdo sukses i shqiptarëve mban vulën e BDl-së!”, shkroi Osmani në “Facebook”.

Kujtojmë që ndërtimi dhe hapja e kësaj pike është zvarritur me vite. Kufiri Bellanoc-Stançiq për vite me radhë është përdorur si karrem edhe nëpër fushata politike. Kuvendi i Maqedonisë që në 2013-tën e ka miratuar marrëveshjen për çeljen e pikës kufitare. Rruga që të sjellë deri këtu është shtruar me mjete të qeverisë ndërsa pika kufitare financiarisht është mbështetur nga Bashkimi Evropian./TV21