BE: Të ashtuquajturat zgjedhje në Siri minojnë përpjekjet drejt zgjidhjes

Bashkimi Evropian (BE) njoftoi se të ashtuquajturat zgjedhje që u mbajtën në Siri nuk plotësojnë asnjë rregull demokratik, nuk do të sigurojnë kontribut për zgjidhjen e krizës në vend dhe minojnë përpjekjet drejt zgjidhjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në një deklaratë lidhur me çështjen theksoi se zgjedhjet në Siri duhet të mbahen në përputhje me rezolutën 2254 të KS-OKB-së dhe në kuadrin e një procesi të vërtetë politik.

“Zgjedhjet mund të jenë të besueshme nëse të gjithë sirianët përfshirë të zhvendosurit brenda vendit, refugjatët dhe ata në diasporë marrin pjesë në një konkurrencë të lirë dhe të drejtë dhe në një mjedis të besueshëm dhe të paanshëm”, deklaroi Borrell.

Borrell tha se zgjedhjet e mbajtura dje minojnë përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes ndaj problemit sirian. “Këto zgjedhje nuk mund të sigurojnë normalizimin ndërkombëtar me regjimin e Sirisë”, shtoi Borrell.

Regjimi i Bashar Al Assadit i cili injoron rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), mbajti për herë të dytë në Siri të ashtuquajturat zgjedhje presidenciale në rajonet nën kontrollin e tij, në një mjedis ku më shumë se gjysma e popullatës së vendit është zhvendosur dhe në një luftë të brendshme e cila tashmë kanë lënë pas vitin e dhjetë të saj.