BE kërkon afrimin e Kanadasë si ‘anëtare të asociuar’, Trump: Akt armiqësor

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka propozuar që Kanadaja të bëhet anëtarja e parë e asociuar e Bashkimit Evropian, një ide që ka shkaktuar reagime të forta në Shtetet e Bashkuara.

Propozimi u bë gjatë fjalimit për Gjendjen e Bashkimit në Parlamentin Evropian, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri kanadez Mark Carney.

Dua të punoj me ju për të hapur rrugën që Kanadaja të bëhet anëtarja e parë e asociuar e BE-së”, tha von der Leyen, duke theksuar se Evropa dhe Kanadaja ndajnë të njëjtat vlera dhe interesa.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër ndaj propozimit. Në një tubim, ai e cilësoi ftesën si një “akt armiqësor” dhe paralajmëroi Evropën për tarifa të larta nëse, sipas tij, qëllimi i marrëveshjes nuk është pozitiv.

Afrimi mes BE-së dhe Kanadasë ka qenë duke u diskutuar prej kohësh, ndërsa marrëdhëniet janë intensifikuar veçanërisht pas përplasjeve tregtare mes SHBA-së dhe partnerëve evropianë.

Von der Leyen tha se synimi është që marrëdhëniet BE-Kanada të arrijnë “nivelin më të lartë të mundshëm”. Ajo theksoi se ky bashkëpunim nuk është krijuar kundër një vendi të caktuar, por për të forcuar kapacitetet dhe pavarësinë e të dyja palëve.

BE-ja dhe Kanadaja kanë tashmë një marrëveshje të tregtisë së lirë, të njohur si CETA, e nënshkruar në vitin 2016 dhe e zbatuar pjesërisht që nga viti 2017. Megjithatë, marrëveshja ende nuk është ratifikuar nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Ende nuk dihet se çfarë do të nënkuptonte konkretisht statusi i “anëtarit të asociuar”. Von der Leyen përmendi disa fusha ku BE-ja dhe Kanadaja mund të thellojnë bashkëpunimin, përfshirë teknologjinë, industrinë e mbrojtjes, Arktikun, energjinë, mineralet kritike, bateritë, inteligjencën artificiale dhe teknologjitë kuantike.

Çështja pritet të diskutohet më tej në samitin BE-Kanada, që do të zhvillohet në Montreal në fund të tetorit.

/tvklan.al