BE-ja duhet të angazhohen në bisedime me talebanët, thotë Borell

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se BE-ja duhet të angazhohet në bisedime me talebanët në Afganistan.

“Ne duhet të kontaktojmë me autoritetet në Kabul, kushdo që të jenë. Talebanët fituan luftën, ne duhet të flasim me ata”, theksoi Borrell pas video-konferencës së jashtëzakonshme të mbajtur dje midis kryediplomatëve të vendeve të BE-së.

Borrell po ashtu theksoi se talebanët morën pushtetin kaq shpejt sepse krijuan një atmosferë terrori midis qytetarëve.

Ai tha se blloku evropian do të bashkëpunojë me qeverinë e re afgane vetëm nëse ajo garanton një “zgjidhje paqësore dhe gjithëpërfshirëse dhe respekton të drejtat themelore të të gjithë afganëve, përfshirë të grave, të rinjve dhe të minoriteteve”.

Ai po ashtu shpjegoi se përparësia më urgjente për bllokun evropian është të sigurojë largimin e sigurt të shtetasve të BE-së dhe afganëve që gjatë 20 viteve të fundit punuan me BE-në ose vendet anëtare të saj.

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për t’i nxjerrë këta njerëz nga Afganistani”, tha ai, duke iu referuar rreth 400 shtetasve afganë dhe familjeve të tyre që punuan për delegacionin e BE-së në Afganistan.

Kryediplomatët e vendeve anëtare të BE-së në takimin e mbajtur përmes video-konferencës ranë dakord se blloku duhet të parandalojë lëvizjet migratore në shkallë të gjerë dhe të sigurojë mbështetje për vendet tranzit dhe vendet fqinje.

Sot, një takim të jashtëzakonshëm do të mbajnë edhe ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të BE-së për të diskutuar qasjen e bllokut ndaj një krize të mundshme migracioni.

Lufta midis talebanëve dhe forcave afgane u intensifikua pasi trupat e huaja njoftuan se do të tërhiqen nga vendi deri më 11 shtator.

Talebanët arritën përparime të shpejta ushtarake dhe të dielën morën kontrollin e kryeqytetit Kabul, pasi forcat e qeverisë afgane ikën ose u dorëzuan. Presidenti Ashraf Ghani po ashtu u largua nga vendi.