BDI: Ministri i Shëndetësisë në Dubai, ndërsa fëmijët vdesin në Klinikë

Në muajt e fundit, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut ka përjetuar ngjarje tragjike që kanë tronditur thellë opinionin publik. Humbja e paspjegueshme e jetës së foshnjave në Klinikën Pediatrike është një alarm i qartë për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet shëndetësia jonë.

Për më tepër, është shqetësuese të vërejmë një tendencë të qëllimshme për të margjinalizuar dhe zëvendësuar stafin mjekësor shqiptar me personel maqedonas, siç është rasti i fundit në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë. Këto veprime jo vetëm që minojnë kohezionin e brendshëm të institucioneve shëndetësore, por edhe dëmtojnë cilësinë e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve tanë.

Ndërkohë, Ministri i Shëndetësisë duket se është më i angazhuar në udhëtime turistike në Dubai dhe aktivitete partiake, duke lënë pas dore detyrimet e tij ndaj qytetarëve. Kjo mungesë përkushtimi dhe përgjegjësie është e papranueshme, veçanërisht kur shëndeti dhe jeta e fëmijëve tanë janë në rrezik.

Përveç kësaj, është e qartë se ministri jolegjitim i shëndetësisë, i cila vepron si një marionetë e VMRO-së dhe është i zhytur në korrupsion, po tregon edhe një nivel të lartë të paaftësisë në menaxhimin e sektorit shëndetësor. Ky kombinim i servilizmit, korrupsionit dhe paaftësisë po çon në një krizë të thellë, ku qytetarët tanë po paguajnë çmimin më të lartë.

Qytetarët kërkojnë që Ministri i Shëndetësisë të japë dorëheqjen e menjëhershme dhe të mbajë përgjegjësi për këto dështime të rënda. Gjithashtu, bëjmë thirrje për një hetim të pavarur dhe transparent mbi vdekjet e fundit në Klinikën Pediatrike dhe për ndalimin e menjëhershëm të diskriminimit ndaj stafit mjekësor shqiptar.

Është koha që të vendosim interesat e qytetarëve dhe shëndetin e fëmijëve tanë mbi ambiciet personale dhe agjendat politike. Ne nuk do të qëndrojmë të heshtur përballë kësaj padrejtësie dhe do të vazhdojmë të luftojmë për një sistem shëndetësor që i shërben të gjithë qytetarëve, pa dallim.