BDI mes flakës dhe tymit të pureve!

Shkruan: Naser Pajaziti

BDI është nëna e vakive, një subjekt që nisi pahiri pas dështimit të këshillit kombëtar të partive e që në vete mblodhi të hunit e të konopit!

Pikërisht kjo sepse vetë Ali Ahmeti nuk i njihte shumicën e njerëzve që iu ishin ofruar. “Po më thonë është djalë i mirë, nga familje e mirë, i zoti…nuk e njoh për besë”, kjo ishte përgjigja e shpeshtë e Ahmetit para 20 viteve, për njerëzit e partisë së tij që visheshin me gëzofin e pushtetit.

“Ushtarët”, “komandantët”, “patriotat”, “spiunët”, “PPD”-istat e lloj lloj soji i njerëzve dhe grupeve rrinin pranë strumbullarit në Reçicë të Vogël, e që më pas merrnin aminin për tu nisur drejt Shkupit në kolltuqe të pushtetit.

E gjithë kjo shumëllojshmëri me individë e grupe të “hunit e të konopit” përbashkohej dhe përvidhej duke i ndenjur në gjunjë Ali Ahmetit.

Por, në prapaskenë dhe në koluaret lokaliste vlonte kazani i padurueshmërisë dhe konflikteve mes këtyre grupeve të llojeve të ndryshme. Atëkohë nisën edhe thashethemet e debatet se partia që doli nga lufta tashmë do të përçahet.

Më kujtohet një ngjarje në Tetovë, hiç më pak se dhjetë vite më parë, kur eskaloi një incident fizik ndërmjet grupimeve rivale lokale, e që nga opozita atëkohë i fërkonin duart se ja po nis përçarja. Por, për çudi bashkëpartiakët e symavijosur e këmbëthyer, pas dy ditëve i shkonin prapa Ali Ahmetit në një tubim partiak.

Janë histori të ndryshme konfliktuoze deri me vrasje që kanë shoqëruar për dy dekada këtë parti politike, e që për çudi gjithçka i është kthyer normalitetit. E pikërisht është Ali Ahmeti, i pathyeshëm përbrenda këtij organizimi politik, që ka detektuar, mban nën kontroll dhe di të heshtë këto mentalitete brenda llojit…

Zhvillimet e fundit në BDI janë një episod i ri pa protagonizëm me pure e duhan, e që ndoshta kësaj radhe pëlcet tupani ose shpërthen zullumi!

Vijon…