Barcelona ngre padi ndaj ish-zëvendëspresidentit pas akuzave për korrupsion

Barcelona ka vendosur të ngre padi ndaj ish-zëvendëspresidentitit Emili Rousaud, pasi ky i fundit kishte sugjeruar se ekzekutivët e klubit ishin duke i përdorur fondet e klubeve për t’u pasuruar për vete.

Zëvendëspresidentët Emili Rousaud dhe Enrique Tombas janë në mesin e anëtarëve të bordit që kanë dhënë dorëheqje, bashkë me Silvio Elias, Maria Teixidor, Josep Pont dhe Jordi Clasamiglia, transmeton Gazeta Express.

Dorëheqjet e tyre u konfirmuan përmes një letre të ashpër drejt Bartomeut, pasi që ata kërkuan që të rizgjidhen anëtarët e bordit sa më shpejt që të jetë e mundur për t’u siguruar që Barcelona të mundë të kthehet nga sfidat me të cilat po e përball koronavirusi.

Bartomeu, i cili ka qenë në krye të gjigantit spanjoll që nga korriku i vitit 2015, ka qenë nën presion të madh në pozitën e presidentit gjatë këtij sezoni. Para se ata të jepnin dorëheqje, u raportua se Bartomeu po tentonte t’i detyrojë disa anëtarë të bordit të japin dorëheqje, pasi që mendonte se ata nuk janë besnikë ndaj tij. Më së shumti ai dëshironte ta largonte Rousandin, i cili konsiderohet si pasardhësi i tij në pozitën e presidentit.

Kjo e vazhdoi krizën e skandaleve këtë vit në Barcelonë, pas lajmeve se klubi e kishte punësuar një kompani për t’ia prishur reputacionin disa prej yjeve të skuadrës dhe legjendave të klubit, si dhe për ta promovuar reputacionin e Bartomeut. Ky skandal ishte ndjekur nga zënka publike e Lionel Messit me drejtorin e klubit, Eric Abidal.

Në letrën e dorëheqjes së tyre, gjashtë anëtarët e bordit drejtues të Barcelonës kërkuan ndryshim lidershipi, përderisa Rousaud shkoi një hap më tutje dhe pretendoi se dikush në bordin e Barcelonës po përfitonte nga paratë e klubit.

Pas kësaj, Barcelona i ka mohuar të gjitha akuzat për korrupsion dhe ka bërë të ditur se do ta padisë Rousaud për akuzat e rreme.

“Pas pretendimeve të pabaza të Emili Rousaud në një numër të intervistave, bordi i drejtorëve të Barcelonës i mohon të gjitha akuzat që mund të përshkruhen si korrupsion dhe ka marrë vendim t’i ndërmarrë veprime korresponduese ligjore”, thuhet në deklaratën e klubit katalonas.