Barcelona ka gati 20 milionë euro për “Ronaldon e ri”

Barcelona po përgatitet për një “goditje” surprizë të minutës së fundit, duke parë vështirësitë e pakapërcyeshme për të mbërritur te Rodrigo i Valencias apo Tadic i Ajaxit të Amsterdamit. Klubi katanan, që është vënë dëshpërimisht në kërkim të një zëvendësuesi për të dëmtuarin Luis Suarez, sipas informacioneve të fundit ka gati ofertën prej 20 milionë eurosh për talentin e Bragas, Francisco Trincao, i konsideruar edhe si “Ronaldo i ri”.
Me Ousmane Dembele më shumë në infermieri sesa i gatshëm për lojë, trajneri Quique Setien e ka të qartë se mund të vuajë shumë mungesën e cilësisë në thellësi të sulmit, duke patur parasysh që Barcelona po lufton për trofe në tre fronte (kampionat, Kupa e Mbretit dhe Champions).

Gazetari i njohur italian, Gianluca Di Marzio, shkuan se janë zhvilluar bisedime mes dy klubeve, kështu që në momentet e fundit pritet të zyrtarizohet kjo lëvizje.

20-vjeçari ka shfaqur formë të mirë këtë sezon, duke shënuar tre gola dhe dhënë gjashtë pasime për gol në 22 paraqitje për skuadrën portugeze. Ai ka spikatur edhe në përfaqësueset e moshave të Portugalisë, nga U-17 në U-21, dhe konsiderohet një talent me të ardhme të sigurt.

I aftë të luajë kudo në vijën e parë, pozicioni i tij i preferuar është krahu i djathtë. Kjo mund të jetë një arsye që Setien të zhvendosë Messin në qendër të sulmit.