Barazimi ndaj Unitedit – Tuchel “shigjeton” Havertz dhe Werner: Nuk luajtën mirë

Manchester United dhe Chelsea barazuan 1-1 mbrëmë në kuadër të Premier League.

Në ndeshjen e luajtur në “Old Trafford” ishin mysafirët ata që kaluan të parët në epërsi me anë të Marcus Alonsos në minutën e 60’, ndërsa dy minuta më pas shifrat i barazoi Cristiano Ronaldo, për ta vendosur epilogun e takimit.

Pas ndeshjes, ishte trajneri gjerman, Thomas Tuchel, që e shprehu haptazi pakënaqësinë e tij për rezultatin, duke u ankuar për performancë të dobët të dy futbollistëve të tij.

Ishin Kai Havertz dhe Timo Werner ata që u akuzuan për performancë jo të mirë në këtë ndeshje.

“Të dy, Havertz dhe Werner, nuk performuan në nivelin më të lartë”, tha fillimisht ai, transmeton lajmi.net.

“Jam pak i frustruar. Ishim dominantë, gjetëm shumë hapësira, por nuk fituam”, shtoi tutje gjermani.

Ky barazim nuk i konvenon asnjërës skuadër për realizimin e objektivave sezonalë, me Chelsean që rrezikon pozitën e tretë në tabelë dhe Man Utd që ia vështirëson vetes punët për një vend në garat evropiane.