Ballkani i del në ndihmë Turqisë pas tërmeteve

Shtetet e Ballkanit Perëndimor u janë bashkuar shteteve të tjera nga e mbarë bota, duke i ofruar ndihmë Turqisë, e cila, së bashku me Sirinë, u goditën nga dy tërmete vdekjeprurëse më 6 shkurt.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se 70 shtete kanë ofruar ndihmë për shtetin e tij, pas tërmeteve shkatërruese.

FSK-ja në Turqi

Pas tërmeteve të fuqishme që lanë të vdekur mbi 5.000 persona në Turqi dhe Siri, autoritetet në Kosovë ofruan mbështetje për Ankaranë.

Në orët e mbrëmjes së 6 shkurtit, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës njoftoi se një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës u nis për të ndihmuar autoritetet turke.
Në kontingjentin e FSK-së bëjnë pjesë specialistë të kërkim-shpëtimit urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e qenve për kërkim-shpëtim.

“Varësisht nga nevojat dhe kërkesat e ditëve në vijim do të shtohen kapacitetet reaguese për reagim, kërkim-shpëtim dhe sanim të pasojave të tërmetit”, u tha në njoftimin e Minitrisë së Mbrojtjes.

Kosova, po ashtu, ka thënë se do t’i ndihmojë shtetasit e saj që gjenden në Turqi, duke vendosur edhe dy numra emergjentë.

Autoritetet në Kosovë bënë me dije se ekipi i mundjes i Kosovës dhe tri familje kosovare kanë qenë në zonën e rrezikut në Turqi, por asnjë shtetas i Kosovës nuk është në mesin e viktimave.

 

Shqipëria nis ekipin e shpëtimtarëve për në Turqi

Pesëdhjetë e tre persona më 6 shkurt janë nisur nga Shqipëria drejt Turqisë për ta ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Në ekipin e dërguar nga Shqipëria ka personel mjekësor dhe specialistë të kërkim-shpëtimit.

Turqia e kishte ndihmuar Shqipërinë gjatë tërmetit të vitit 2019. Ankaraja kishte dërguar ekipe të posaçme për kërkim-shpëtim, por edhe ndihma tjera, sikurse ushqime, batanije e tenda.

Turqia, po ashtu, financoi ndërtimin e 522 banesave për banorët e prekur nga tërmeti në Kurbin të Shqipërisë.

“Por, edhe nëse një fatkeqësi do t’i ndodhë një vendi tjetër, Shqipëria jonë e vogël do të tregojë se është gjithmonë e gatshme që kapacitetet e veta t’i vërë në dispozicion, sepse në emergjencë apo solidaritet ne jemi tashmë pjesë edhe e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ku nuk jemi vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë”, tha ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Maqedonia e Veriut me ndihmë monetare, ushtarake dhe mjekësore për Turqinë

Edhe Maqedonia e Veriut ka ofruar ndihmë për Turqinë, ku sikurse dhe në Siri, janë mijëra persona të zhdukur, që besohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura.

Qeveria në Shkup ka miratuar vendimin për dërgimin e 24 pjesëtarëve të Armatës për të ndihmuar autoritetet turke në përballje me pasojat e tërmeteve të fuqishme.

 

Vendimi përfshin edhe pajisje tjera si 10.000 batanije, 200 barela mjekësore dhe ndihma tjerë shëndetësore.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka nisur për në zonat e goditura 40 pjesëtarë të forcave republikane të mbrojtjes dhe shpëtimit, me pajisje të specializuara dhe mjete materialo-teknike për kërkim dhe shpëtim nga rrënojat, gjashtë automjete për transportimin e pajisjeve dhe njerëzve, si dhe dy automjete zjarrfikëse.

Ministria e Financave e Maqedonisë së Veriut, bazuar në vendimin e Qeverisë, ka ndarë nga buxheti 6 milionë denarë (100.000 euro) për të ndihmuar njerëzit në zonat e goditura nga tërmeti vdekjeprurës.

“Ne solidarizohemi me miqtë tanë lidhur me pasojat e tmerrshme të tërmetit dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur në përpjekjet për të shpëtuar jetë nga rrënojat dhe për të mbështetur popullatën e prekur”, ka shkruar kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në profilin e tij në Facebook.

Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të kompetencave të saj, është e obliguar që urgjentisht të përgatisë dhe t’i dorëzojë Qeverisë vendimin për dhënien e ndihmës në formë të personelit mjekësor, pajisjeve mjekësore dhe barnave.

Edhe Kryqi i Kuq i Maqedonisë së Veriut, në kuadër të kompetencave dhe mundësive të tij ligjore, në bashkëpunim me institucionet kompetente, është përfshirë në aksionin për dhënien e ndihmës për viktimat, duke dërguar ekipe dhe lloje të tjera të ndihmave humanitare, të përshtatshme për fatkeqësi të tilla natyrore.

Ndihma po grumbullohen edhe në shumë komuna të Maqedonisë së Veriut, si dhe nga shoqatat të ndryshme.

Serbia me zjarrfikës dhe njësite të specializuara në Turqi

Ndërkaq, Serbia po ashtu ka ofruar ndihmë për Turqinë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 6 shkurt urdhëroi që të dërgohen njësite të specializuara nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Më pas, kjo ministri bëri të ditur se drejt Turqisë, në orët e mbrëmjes të 7 shkurtit do të nisen 18 pjesëtarë të sektorit për situata emergjente dhe nëntë makina të zjarrfikësve. Po ashtu, do të ketë forca shtesë të zjarrfikësve, që të ndihmojnë Turqinë t’i përballojë pasojat e tërmetit shkatërrues.

“Zjarrfikësit-shpëtimtarë nga Bori Valjeva, Uzhica dhe Nishi, së bashku me një makinë zjarrfikëse emergjente, katër furgonë dhe katër automjete do të nisen nga Nishi dhe nesër pritet t’u bashkohen kolegëve të tyre”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Brendshme serbe.

Mali i Zi ofron strehim për turqit e prekur nga tërmeti

Autoritetet e qyteteve në Mal të Zi, Podgoricë, Nikshiq dhe Kotor, kanë njoftuar se do të nisin ekipe të shpëtimit dhe të mbrojtjes civile në Gaziantep dhe në qytete të tjera turke që janë të goditura nga tërmeti.

Kryetarja e Kotorit, Fatma Sahin, ka komunikuar me homologun e saj në Gaziantep dhe ka shprehur gatishmërinë që një grup nxënësish, që kanë humbur shtëpitë e tyre, së bashku me mësuesit, të akomodohen, t’u ofrohet ushqim dhe hapësirë për mësim në qytetin bregdetar malazez.

Ndërkaq, anëtarë të mbrojtjes dhe shërbimeve të shpëtimit nga disa qytete të Malit të Zi janë nisur drejt Turqisë për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Bosnjë e Hercegovina me ekipe mjekësore dhe të kërkim-shpëtimit

Institucionet shtetërore në Bosnjë e Hercegovinë, po ashtu kanë ofruar mbështetje për Turqinë.

Pjesëtarët e Administratës për Mbrojtje Civile të Republikës Sërpska janë nisur më 7 shkurt për në Turqi për të ndihmuar kolegët e tyre atje. Ky ekip përbëhet nga 22 pjesëtarë të administratës dhe qen për kërkim-shpëtim.

Federata e Bosnjë e Hercegovinës, po ashtu, ka konfirmuar se 42 pjesëtarë të Administratës për Mbrojtje Civile do të nisen për në Turqi.

Ndihmë ka ofruar edhe Qeveria e kantonit të Sarajevës, që është zotuar se do të dërgojë gjashtë pjesëtarë të Shërbimit për Shpëtime Malore dhe nga Mbrojtja Civile, që janë të trajnuar për shpëtimin e personave të bllokuar nën rrënoja.

Autoritetet në këtë kanton kanë konfirmuar se janë në gatishmëri 50 persona, por po presin miratimin e Ministrisë së Sigurisë së Bosnjë e Hercegovinës që ata të dërgohen në mision në Turqi.

Entiteti i Republikës Sërpska po ashtu ka thënë se do të nisen drejt Turqisë edhe pesë ekipe mjekësore dhe po aq ekipe mjekësore nga Spitali i Përgjithshëm i Sarajevës do të dërgohen në zonat e goditura nga tërmeti.

Ndërkaq, kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, i ka premtuar Turqisë ndihmë për zonat e shkatërruara nga tërmeti.

Kroacia, po ashtu, do të dërgojë në Turqi një ekip shpëtimi prej 40 personash./REL