Babai i tre fëmijëve nga Maqedonia i humb “letrat” në Zvicër

Pasi që verimaqedonasi ishte dënuar, ndër të tjera për vjedhje dhe sulm, zyra e migracionit ia tërhoqi lejeqëndrimin. Ai u ankua në instanca më të larta, por pa sukses.

Një verimaqedonas që në Zvicër kishte ardhur në vitin 2001 si njëmbëdhjetëvjeçar, duhet të largohet nga Zvicra. Zyra e Migracionit në Aargau ia revokoi lejeqëndrimin, pasi u dënua dy herë me 26 muaj dhe 6 muaj të tjerë burg. Verimaqedonasi e kundërshtoi këtë revokim dhe u ankua në Gjykatën federale zvicerane, por pa sukses.

Nga Gjykata e rrethit në Baden, ai u shpall fajtor në vitin 2014 për vjedhje komerciale. Në vitin 2017, ai u shpall fajtor nga Gjykata e rrethit Zurzach për shkelje të shumta të rendit shtëpiak dhe shkaktim të lëndimeve të lehta trupore.

Përpos kësaj, ai u dënua gjithashtu për akte të shumta seksuale me një fëmijë, sepse me partneren e tij tetë vite më të re, e cila atëbotë ishte ende e mitur, kishte marrëdhënie seksuale, shkruan “Aargauer Zeitung”, transmeton Shtegu.com. Bashkëshortja e tij tashmë është nënë e tre fëmijëve të tij, të cilët janë vendosur te një familje kujdestare. Ajo dhe fëmijët, të gjithë kanë pasaporta zvicerane.

Siç shkroi Gjykata Federale në aktgjykim, Gjykata administrative në Aargau “me kujdes i kishte peshuar interesat përkatëse publike dhe private, dhe kishte një interes të madh nga opinioni shumë i madh për t’i dhënë fund qëndrimit të tij, për shkak të delikuencës së konsiderueshme të ankuesit”. Në këtë rast, kjo është dashur të merret në konsiderim më shumë sesa interesi privat.