Përfundimisht demaskohet manipulimi që kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe zyrtarët e tjerë të kësaj partie kanë bërë, në lidhje me gjoja hetimin ndërkombëtarë të rasteve të montuara gjyqësore, gjatë qeverisjes së kësaj partie, herë me VMRO-në dhe herë me LSDM-në, thonë nga Aleanca për Shqiptarë.
“Në një paraqitje televizive, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti pati deklaruar se ka kërkuar nga SHBA-të, që CIA dhe FBI të përfshihen në hetimin e rastin e 9-10 majit në Kumanovë. Ahmeti dhe eksponentë të BDI-së në vazhdimësi kanë dhënë deklarata të tilla për rastet e dyshimta si të montuara politike”, thonë nga ASh.
Ligjërisht, kërkesat për hetim ndërkombëtar të proceseve gjyqësore siç thonë nga ASh i parashtron ministria e drejtësisë. Andaj, në seancën e fundit për pyetje të deputetëve, deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri, pyeti drejtpërdrejtë ministrin e drejtësisë nëse kjo ministri ka dërguar ndonjë kërkesë të këtillë për cilindo rast, siç kishin deklaruar zyrtarët e BDI-së. Ministri i drejtësisë në mënyrë taksative tha se kërkesa të tilla nuk janë lëshuar nga kjo ministri.