Autobus me 90 nxënës përplaset me shkëmbin në Mal të Zi

Një autobus me rreth 90 nxënës, që po ktheheshin nga ekskursioni, është përplasur me një shkëmb në rrugën Mojkovac–Kolashin, në Mal të Zi.

Aksidenti ndodhi rreth orës 20:35, në zonën Shtitariçka Rijeka. Sipas informacioneve të para, në rrugë kanë rënë gurë dhe shoferi, duke tentuar t’i shmangte, është përplasur me shkëmbin.

Pesë persona janë lënduar, përfshirë tre nxënës. Udhëheqësi i ekskursionit ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike të Malit të Zi.

Nxënësit e tjerë janë transportuar drejt Podgoricës me autobusë dhe automjete të tjera. Sipas informacioneve jozyrtare, shoferi nuk ka qenë nën ndikimin e alkoolit.

Policia dhe prokuroria po hetojnë rrethanat e aksidentit.