Autoritetet ruse raportuan se të paktën dy persona humbën jetën dhe gjashtë të tjerë u plagosën pas një sulmi të përshkruar si “masiv” me dronë ukrainas në rajonin e Moskës.
Guvernatori Andrei Vorobyev tha se 249 dronë u rrëzuan gjatë natës, ndërsa shpërthime dhe zjarre goditën ndërtesa banimi dhe një magazinë lokale.
Në kryeqytet, një rafineri pësoi dëme dhe aeroportet Sheremetyevo e Vnukovo vendosën kufizime të fluturimeve.
Në Sofyino, një grua humbi jetën dhe pesë persona, mes tyre dy fëmijë, u plagosën kur një dron goditi një ndërtesë banimi. Në një tjetër distrikt, një burrë i moshuar vdiq pasi shtëpia e tij u shkatërrua.
Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, deklaroi se 450 dronë u interceptuan, duke e cilësuar sulmin si “të paprecedentë”.
/rtsh.al/



