“Atraksioni” i fundit: Lypsarët e Shkupit

Shkruan: Fitim Nuhiu

Kryqëzimet tona rrugore krahas pamjeve moderne që ekspozohen, njëkohësisht e shoqërojnë edhe pamjet mesjetare dhe primitive sidomos në disa zona të banuara me shqiptarë dhe në anën tjetër shteti si rregullator i këtij fenomeni nuk bën një zgjidhje të duhur një kategorie njerëzish që s’mund t’i quash as qytetarë por ca rrugaçër që nuk është se janë as lypsarë por vetëm se janë mësuar të jetojnë nga djersa e huaj, duke zgjatur duart e tyre pa pikë turpi, sikur qytetarët kalimtarë rasti t’i kenë borxh t’i japin nga paratë e tyre.
Me përgjegjësi e them termin rrugaçër, dhe këtu kam parasysh të rriturit (nga ata) që nxjerrin fëmijët që s’dihen se as të kujt janë, sidoqoftë, prapëseprapë më dhimbsen fëmijët e tyre që nuk kanë asnjë faj që dolën në këtë botë pa i pyetur fare dhe pa dijeninë se çfarë i pret. Në këtë pikë qeveria duhet të ndërmerr masa urgjente, t’i shqyrtojë rastet e tilla, fenomenin në fjalë që kohët e fundit janë shtuar edhe më shumë dhe që të marrë të paktën mbrojtjen e të drejtës së jetës së atyre fëmijëve të shkretë që edhe ashtu e ka obligim kushtetues. Kjo pasqyrë e tyre nëpër rrugët tona, kjo ‘zhagitje’ e tyre nëpër kryqëzimet rrugore në semaforë sikur na tregon që fenomeni i tyre është njëfarë krize e ne të gjithëve qytetarëve, e të gjithë shoqërisë: mirëqenia jonë, instutucionet tona, e mbi të gjitha vetë shteti jonë, që jemi edhe ne në kryqëzime rrugësh që presim ndihmë nga një dorë e sipërme, e fuqishme, mirëpo rasti dhe fenomeni i tyre vetëmse na demonstrohet në miniaturë…
Thënë shkurt, pasqyrë e shëmtuar dhe nënçmuese për një shtet dhe për të gjithë ne si shoqëri e po këtij shteti.
Meqë qytetin e Shkupit e frekuentojnë turistë nga e tërë bota, gjersa shteti nuk ofron zgjidhje për këtë dukuri të shëmtuar urbane, le t’ia paraqesë të huajve si atraksion të tyren “veprën artistike” aty ku paradokset takojnë njëra-tjetrën… në formatin e drejtpërdrejt pa marrë mundimin që të investojnë ndonjë skenë dhe peisazh improvizues.