Shkruan: Blerim Shala
Njeriu qëmoti ka mbërri në Hënë. Ia ka mësyrë të shkojë në Mars. E ka pushtuar dhe e ka mbushur gjithë Qiellin përreth Tokës me satelitë, ashtu që nga pikëvështrimi hyjnor t’i përcjell dhe t’i hetojë të bëmat e gjinisë njerëzore. Ka gërryer dheun në të katër anët për të qitur në dritë trashëgiminë e perandorive të mëdha dhe të qytetërimeve të lashta. Ka zbuluar gjallesa të shumta mijëra metra thellë në oqean, dhe është në gjendje t’i ribëjë e ringjallë kafshët që kanë mbet të ngrira në polet e veriut dhe të jugut para mijëra viteve. Ka bërë ‘Kulla të Babilon-it’ qindra-kate, ka prodhuar viruse që mund të shfarosin dhjetëra miliona vetë, dhe ka krijuar armë bërthamore që ri-sjellin Apokalips-in biblik.
Të gjitha këto i ka bërë Njeriu, ama ta zëmë, çka ndodhë në Konklavë, në Vatikan, në atë trupin suprem të bërë prej kardinalëve të Kishës Katolike, kur zgjedhet Papa i ri, apo Ati i Shenjtë, këtë nuk e di.
Aty këtu kuptohen disa detale, pak imtësi dhe më shumë thashetheme, por çfarë dihet me siguri është që finalja e votimit demokratik në Konklavë, shfaqet në trajtë të tymit: Ai i ziu tregon që Papa ende nuk është zgjedhur, teksa ai i bardhi, jep lajmin Urbi et Orbi që Kisha Katolike u bë me bariun/ prijësin e ri.
Kaq dimë të gjithë. Fetarët dhe të pafetë.
Regjisori i njohur austriak-gjerman, Edward Berger (i cili para disa vitesh fitoi çmimin ‘Oscar’ për filmin ‘Gjithçka qetë në frontin perëndimor’, të bërë nga vepra e njohur letrare e shkrimtarit gjerman Erich Maria Remarque), iu rrek që sipas një tjetër romani, të autorit Robert Harris, me titullin ‘Conclave‘ (të botuar në vitin 2016), të na rrëfejë se çfarë në të vërtetë sillet dhe mbështillet kur vdekja e një Pape në qendrën botërore të krishterizmit katolik, thërret kardinalët që të përzgjedhin të parin e kishës që tubon 1.4 miliardë besimtarë. Aktualisht.
Për këtë shkak zaten, apo, në vijim të një fakti që Berger dhe ekipi i tij kanë hyrë në një kohë dhe në një hapësirë krejtësisht të panjohur për ne vdekatarët, aty ku preket Amshimi hyjnor në përzgjedhjen e trashëgimtarit të fronit të Shën Pjetrit, filmi ‘Conclave‘ është klasifikuar si ‘triler mistik’.
Filmi ‘Conclave‘ është shumë më tepër se kaq, dhe as ai dhe as regjisori Berger nuk janë fajtorë që bëhen viktima të asaj përpjekjeje të vazhdueshme perëndimore që me çdo kusht të klasifikojnë dhe emërtojnë një dukuri, apo një vepër. Duhet disi joshur shikuesit që ta shohin një film apo ta lexojnë një libër. Edhe atëherë kur thirrja e publicitetit nuk ka fare të bëjë me përmbajtjen e një filmi. Siç është rasti edhe me filmin ‘Conclave‘.
Ndryshe, vepra e regjisorit Edward Berger është mirëpritur nga audienca dhe nga kritikët e filmit. Instituti amerikan i filmit madje, së fundit, në dhjetorin e vitit të kaluar (2024), e ka klasifikuar ‘Conclave‘ si njërin prej dhjetë filmat më të mirë të vitit 2024. Edhe ky vlerësim konfirmon, siç ishte rasti edhe me filmin paraprak të Edward Berger-it, që është e mundur (ende, por gjithnjë e më rrallë, duhet shtuar këtu), të dyzohet një qasje e mirëfilltë artistike me shikueshmërinë e madhe dhe me pëlqimin masiv të kritikëve të filmit.
Mbase, kjo është arritur edhe falë një kaste aktorësh të përzgjedhur shumë mirë, të cilës i prinë Ralph Fiennes, si protagonisti kryesor i filmit, në rolin e Dekanit të Kolegjit të Kardinalëve. Aktorët tjerë që paraqiten në rolet e rëndësishme në film janë: Stanley Tucci, Carlos Diehz, Isabella Rossellini, Sergio Castellitto.
Natyrisht, siç ka mundur të pritet, filmi ‘Conclave‘ nuk ka hasur në mirëkuptim dhe pranim të vetë njohësve të Kishës Katolike. Për ta, kallëzimi i Berger-it është i njëanshëm, është i cekët dhe është keq-interpretim i gjendjes reale në Kishën Katolike, duke i dhënë një përparësi evidente qarqeve brenda saj që janë mbështetës dhe avokues të ndryshimeve të cilat do ta kishin domethënien e adaptimit të saj në një Botë të Shekullit XXI.
Më para, siç e dimë, Bota sillej rreth Kishës dhe duhej t’i adaptohej Papës dhe Vatikanit. Tani, duket se (deri diku, natyrisht), ndodhë e kundërta.
Ndryshe, rrëfimi në filmin ‘Conclave‘ fillon të rrjedhë me një vdekje: Të Papës.
Në fund të filmit marrim vesh (të gjithë), që në të vërtetë Papa i shkuar në Amshim (për besimtarët), pa lënë testament fare (diçka e tillë nuk është e mundur në këtë rast), do të ndikojë në mënyrë vendimtare, për së vdekuri, në përzgjedhjen e trashëgimtarit të tij.
Kjo është një mrekulli në vete e Papës.
Ai, në të gjallët e tij, i kishte bërë të gjitha përllogaritjet që rezultati i votimit i kardinalëve në Konklavë, të ecë në atë mënyrë që ta fitojë epilogun e dëshiruar prej tij.
Por, këtë do ta kuptojmë fare në fund të filmit, teksa në ndërkohë në ‘Conclave‘ ka kthesa të shumta dramatike, të cilat na i shfaqin kardinalët si njerëz prej mishi, me pasion, ambicie, sinqeritet dhe tradhti, me vanitet dhe me dinjitet, edhe pse, për ne vdekatarët, Konklava do të duhej të ishte një vend/ Kuvend ku tubohen ajka e besimtarëve, apo ata, (kardinalët), që janë më afër Zotit se të gjithë besimtarët e tjerë.
Ashtu, së paku, do të duhej të ishte.
Këtu e tëra do të duhej të ishte reflektim i Teologjisë, i Ungjillit, i historisë dhe traditës së Krishtenizmit katolik. Teksa në filmin ‘Conclave‘ del në shesh edhe ajo prirja (mbase e përhershme, dikush do të mund të shtojë), Metafizike (Teologjia dhe Metafizika duket se kanë qenë dhe janë të lidhura përgjithmonë), teksa ashtu si edhe në mbarë shoqërinë a qytetërimin perëndimor, këtu ka edhe politikë, ka PR (public relations), ka garë të mirëfilltë për votë, ka nënskamëza brutale, ka çështje gjinore, ka teknologji (gjithsesi).
Që të gjithë kardinalët janë të pajisur me Iphon-a dhe Ipad-a, të cilët, natyrisht, duhet t’i deponojnë në një vend të veçantë para se të nisë punimet Konklava, e cila mbahet me dyer të mbyllura, në Kapelën e Sistine-s.
Sidoqoftë, shihet që kardinalët e sotëm janë të up-date-uar.
Aty, në Konklavë pra, lejohet prania vetëm e kardinalëve, e besimit në Zot dhe mundësisht Shpirtit të shenjtë i cili duhet t’i udhëzojë kardinalët.
Pastaj, në mesin e kardinalëve, njëlloj si në një shoqëri dhe politikë perëndimore, ka të moderuar dhe konzervativ, reformist dhe tradicionalist, të majtë dhe të djathtë, të cilët luftojnë pa mëshirë për bindjet e veta, gjithnjë me qëllim që Papa i ri të jetë reflektim i këtyre qëndrimeve.
Dekani i Kolegjit të kardinalëve është një anglez, Thomas Lawrence (në librin e Robert Harris ai është italian), i cili i prinë këtij procesi të ndërlikuar të votimit të Kuria-s, apo, instancës më të lartë të Kishës Katolike, shkallës ekzekutive, e cila ndryshe, është një tjetër dukuri që është trashëguar nga Roma antike.
Në Romën e moçme, Kuria kishte domethënien e tubimit të tridhjetë qytetarëve të cilët, pos tjerash, vendosnin për zgjedhjen e prokurorëve në Perandori, pastaj, ishin dëshmitarë të emërimit të priftërinjvëve, etj.etj.
Një tjetër trashëgimi kapitale nga Roma është edhe vet gjuha themelore e Krishtenizmit Katolik, apo, latinishtja.
Këtë gjuhë e kanë përdorur asokohe patricët dhe plebenjtë, senatorët dhe perandorët, e që prej atëherë, apo, që prej se Krishtenizmi mbërriti në Romë për tu shpërndarë pastaj gjithandej, latinishtja është gjuha supreme e Papës, kardinalëve dhe të gjithë atyre që i përkasin strukturës së kësaj kishe.
Në këtë aspekt së paku, del që Perandoria Romake (e Perëndimit), ka vazhduar të jetojë edhe shumë shekuj pas mbarimit të saj formal (në shekullin e V-të).
Ndryshe, dy perandorë të Romës që kishin origjinë ilire, Diokleciani dhe Konstantini, do të jenë vendimtar për fatin e Krishtenizmit atëherë, dhe realisht, sot e kësaj dite.
Diokleciani, që ishte një dalmat, i pati shpallur luftë të hapur të krishterëve, në shekullin e III-të, sepse vlerësoi që vet ekzistenca e Perandorisë Romake rrezikohet prej tyre.
Por, ai nuk ia doli ta zhbëjë Krishtenizmin.
Konstantini, që ishte një dardan, do ta bënte të kundërtën: Ai, duke marrë si pretekst fitoren në një betejë të madhe (nën shenjën e kryqit në Qiell), do ta miratojë Ediktin e Milanos (në vitin 313), që i dha tolerancë/ jetë Krishtenizmit.
Në të vërtetë Konstantini i Madh siç do të quhet më vonë, e kishte kuptuar që Perandorisë Romake, të shterur dhe të lodhur thuaja në të gjitha aspektet e mundshme, i duhej një forcë kohezive shpirtërore, e cila sipas tij ishte Krishtenizmi.
Ky vet u konvertua në të krishter. Në shtratin e vdekjes. Zoti nuk i duhej shumë për së gjalli. Krishtenizmi po.
Por Krishtenizmi, nuk e ndali zhbërjen e Perandorisë romake të Perëndimit. Megjithatë, ky vet e ndërtoi një qytet në lindje, i cili u pagëzua Kontantinopolis, i cili për një mijë vjet të tjera do ta mundësojë zgjatimin e Perandorisë romake të Lindjes.
Kjo është një histori e pafund. Çfarë dihet është që te dy Perandoritë Romake ranë, por që Perandoria hyjnore krishtere me seli në Romë mbetet aty tash e dy mijë vjet. Përkundër të gjithave.
Kjo zaten dëshmohet edhe në filmin ‘Conclave’ të Edward Berger-it.
Procesi i votimit për zgjedhjen e Papës së ri nisë me një fjalë hyrëse, ashtu edhe siç është përcaktuar, të Dekanit të Kolegjit të kardinalëve, Kardinalit Lawrence, të cilin e përjetëson (në kuptimin e mirëfilltë të fjalës), aktori anglez Ralph Fiennes.
Kardinali Lawrence nisë të lexojë fillimisht fjalën (homilinë) e tij, të përgatitur gjithë natën, por pastaj e kupton që asgjë interesante nuk po thotë në përgatitjen e votimit më të rëndësishëm të Konklavës.
Ai, atëherë, shfaqet i sinqertë me vetveten dhe me kardinalët e tjerë, duke i ndarë me ta mendimet që tash e një kohë atë e brejnë, e trazojnë dhe e shqetësojnë, dhe që ia kanë shkaktuar ‘krizën e besimit’, aq të thellë, saqë ky ia pati ofruar dorëheqjen Papës së ndjerë nga posti i Dekanit të Kolegjit të kardinalëve. Por Papa ia pati kthyer mbrapshtë këtë vendim të tij.
Kardinali Lawrence kështu, me një qasje dhe fjalor krejtësisht befasues, u thotë kardinalëve të tjerë që ‘siguria është mëkati të cilit ky më së shumti i frikësohet. Siguria është armiku i madh i unitetit. Siguria është armiku vdekatar i tolerancës. Madje edhe Krishti nuk ka qenë i sigurt në fund (në kryq, vër.ime)…Besimi i ynë është një gjë e gjallë pikërisht për shkak që ecë dorë për dore me dyshimin. Nëse do të ishte vetëm siguria, dhe nëse nuk do të kishte dyshim, nuk do të kishte mister. Dhe prandaj, nuk do të na duhej besimi. Të lutemi që Zoti do të na jep një Papë që dyshon. Dhe le të na dhurojë ai (Zoti, vër.ime), një Papë që mëkaton, që kërkon falje (për këto mëkate), dhe vazhdon tutje’.
Këto mendime dhe fjalë të Kardinalit Lawrence më së miri përmbledhin gjendjen mentale dhe shpirtërore të tij, teksa ai i prinë kësaj ndërmarrjeje jetike për Kishën Katolike.
Nga pikë-shikimi i cili reflekton ndërlikueshmërinë e besimit, thellësinë teologjike dhe lartësinë morale, mbase, Kardinali Lawrence, do të ishte kandidati ideal për t’u ulur në fronin e Shën Pjetrit.
Por Kardinali Lawrence, me gjithë këto dyshime për veten, për Kishën, për kardinalët e tjerë, nuk dëshiron fare të mendojë për këtë mundësi dhe madje ua merr për të madhe kardinalëve të cilët e përkrahin atë në votimin për Papën e ri. Kjo vërehet veçmas në bisedën që ky do ta ketë me Kardinalin Vincent Benitez, që është i vendosur në Kabul (Afghanistan), teksa më parë kishte shërbyer edhe në Irak. Benitez, i cili është befasi për të gjithë, sepse Papa e kishte emëruar vet atë si kardinal (pa ua bërë me dije të tjerëve), i thotë hapur Lawrence-t, që vetëm ky (apo Lawrence), meriton të zgjedhet Papë, por ky e refuzon në mënyrë kategorike këtë mundësi, pos tjerash, sepse ai nuk ka aspak ambicie për t’u bërë Papë. Për më shumë, Kardinali Lawrence e qorton rrept Kardinalin Benitez për këmbënguljen e tij që të votojë prapë për te.
Ndryshe, do të zhvillohen shtatë rrathë të votimeve në Konklavë për të mbërri tek Papa i ri.
Secili prej tyre, me mjeshtërinë regjisoriale të Berger-it paraqitet me kthesa dramatike dhe tëfillim të një lëmshi të madh të bërë prej ambicieve, karaktereve të kandidatëve, procedurave të ndërlikuara të Konklavës.
Dalin në shesh, kështu, aferat seksuale (njëri kardinal ka fëmijë ilegjitim), dhe korruptive (tjetri kardinal ka provuar të blejë votat e kolegëve të tij), të cilat i ka ditur mirë Papa i ndjerë, i cili kishte bërë gjithçka para vdekjes që t’i lë gjurmë Kardinalit Lawrence, ashtuqë ky të shmangë disi zgjedhjen e këtyre kardinalëve si trashëgimtar të Papës.
Kardinali Lawrence e gjen veten në një situatë të pa-rrugëdalje, në rrethin e gjashtë të votimit, kur ndodhë sulmi terrorist në afërsi të selisë ku është mbledhur Konklava. Pëlcasin xhamat e Kapelës së Sistines-s, plagosen dhe lëndohen lehtë shumica e kardinalëve, pastaj, që të gjithë dërgohen në një vend të sigurt.
Siç do të kuptohet më pas, sulmi terrorist në Romë (si dhe në Louvain dhe Munich, këtë e kuptojmë më vonë) do të luajë, çuditërisht, paradoksalisht dhe blasfemisht (nëse mund të thuhet kështu), rolin e Shpirtit të shenjtë në çeljen e udhës për zgjedhjen e Papës.
Kardinalët, të gjithë të lënduar, të pluhurosur dhe të tronditur nga kjo goditje që dëmtoi Kapelën e Sistine-s, nisin të debatojnë për këtë ngjarje e cila pa dyshim, dashtë e pa dashtë ndërhyri drejtpërdrejt në Konklavë.
Pasi që Kardinali Lawrence i informon kardinalët e tjerë për të vrarët dhe të plagosurit nga kjo ngjarje tragjike, shfaqet ajo përplasja në mes të liberalëve dhe konzervatorëve, e cila mbeti në heshtje deri tash, në të gjithë rrjedhën e Konklavës.
Kardinali Tadesco, krye-zëri i të dytëve dhe kandidati i tyre për Papë, sulmon pa mëshirë Islamizmin dhe Relativizmin si shkaktarë të këtij sulmi terrorist që është, siç pohon Tadesco, turp për të gjithë kardinalët.
‘Neve na duhet lideri që i lufton këto kafshë’, konkludon, në mënyrën më brutale të mundshme Kardinali Tadesco.
Kur pritet që kjo frymë të mbizotërojë në këtë debat të kardinalëve, merr fjalën Kardinali Benitez, që kishte mbërri në Parajsën e Vatikanit nga Ferri i Kabulit.
Benitez, që tashmë i kishte kaluar tre rrathët e Ferrit, duke i shërbyer Kishës në Kongo, në Irak dhe në Afganistan, i kundërvihet me vendosmëri Kardinalit Tadesco.
Kardinali i përzgjedhur nga Papa i ndjerë, kundërshton urrejtjen dhe thirrjen për hakmarrje të Kardinalit Tadesco, duke ua rikujtuar bashkë-udhëtarëve të tij në këtë rrugëtimin e nisur nga Krishti dy mijë e më shumë vjet më parë, që fati i Kishës Katolike është në duart e tyre, dhe që paqja, e vërteta dhe feja/ besimi, janë të pandashme.
Kritikët e filmit, tani, në rrethanat krejtësisht të reja disavjeçare (falë AI, Inteligjencës Artificiale), shkruajtën që fjala e Kardinalit Benitez dukej si e përgatitur nga Chat GPT, me një porosi të urtë, të mençur dhe tolerante ndaj kësaj sprove të rëndë dhe të përgjakshme e cila gati që nuk e rrëzon për Toke Konklavën.
Mund të jetë edhe kështu. Pra, fjala e Kardinalit Benitez, mund të tingëllojë si disi artificiale, e bërë gati me të shpejtë, si ‘instant përgjigje’, por i rri mirë imagjinatës artistike dhe asaj mendësisë evropiane dhe perëndimore e cila është (dora në zemër), gjithnjë e më e dobësuar, përherë e më e margjinalizuar.
Ama këtu kjo mendësi del fitimtare. Le të jetë kështu. Së paku në film. Tek e fundit.
Sidoqoftë, ky ligjërim i shkurtër i Kardinalit Benitez, ka si pasojë ngadhënjimin e tij në rrethin e shtatë dhe final të votimit për Papën e ri, edhe pse ai nuk kishte aspak pretendim të tillë.
Një kardinal nga Fundi i Botës (a nuk është Afganistani i tillë?), vjen e bëhet Papë në Vatikan, në kryeqytetin e besimtarëve katolik.
Ky, Kardinali Benitez pra, zgjedh për vete emrin papnor si Papa Innocent XIV.
Por, këtu nuk marrin fund kthesat e mëdha në filmin ‘Conclave’ të Edward Berger.
Kardinali Lawrence kupton që Kardinali Benitez, i sapo zgjedhuri Papa Innocent XIV, në moment të fundit ka refuzuar të shkojë në një klinikë zvicerane për trajtim, të cilin e ka rregulluar Papa i ndjerë.
Në fillim Kardinali Lawrence shqetësohet se mos është fjala për ndonjë sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme të Kardinalit Benitez, por, në bisedën me te, merret vesh që Benitez, është lindur si dy-gjinor, apo, i ka organet seksuale të mashkullit dhe të femrës.
Megjithatë, ai është i regjistruar si mashkull. Kjo certifikatë e bën të denjë për Papë. Kaq mjafton.
Papa i ri i rrëfehet sinqerisht Kardinalit Lawrence, duke i thënë që ky me vetëdije ka heq dorë nga një intervenim mjekësor i cili do t’ia zhbënte anën femërore të organizmit të tij.
‘Unë jam si më ka bë Zoti’, pohon në fund të këtij dialogu me Kardinalin Lawrence.
Dekani i Kolegjit të kardinalëve nuk i tregon kujt sekretin e Papës së ri, dhe kështu, me një përfshirje të kulturës Woke, dhe me harenë e mijëra besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, të gëzuar që u zgjodh Ati i Shenjtë, përfundon filmi ‘Conclave’.
Papa Innocent XIV është, në instancë të fundit, pikërisht Papa të cilin e kërkonte Kardinali Lawrence në fjalën hyrëse të tij në Konklavë, para se të niste votimi, kur thoshte që dyshimi dhe besimi, pasiguria dhe qartësia, ecin dorë për dore te një Papë çfarë i duhet Kishës Katolike.
Çfarë mund të kërkohet më shumë nga një Papë që është hermafrodit në trup, i përulur si besimtar, i vuajtur si njeri, dhe i sinqertë në shpirt.
Happy End pra u mbërri në fund, pas bredhjeve dhe kthesave të shumta që bashkuan, realisht, Ungjillin, Shën Pjetr-in, Shën Pal-in, Shakespear-en, Sherlock Holms-in, Woke-n, e të tjera.
Të përfundojmë.
Na kujtohet: Në fund të Shekullit XIX dhe në fillim të atij XX, menduam që jemi bërë Zot në natyrës, të shkencës, të teknikës dhe të vetvetes, prandaj, nuk na duhej gjë më Zoti.
U gabuam shumë.
Dy luftërat botërore dhe të gjitha krimet dhe tragjeditë që u bënë bashkë në një Kullë të re të Babilon-it, e cila nuk ngjitej kah Qielli dhe kah Parajsa, por mori trajtën e një pusi të pafund që mbërrin në Ferr, mëdyshën Njeriun si të tillë.
Menduam që ky është Fundi i Njeriut.
Nuk dihet a gabuam këtu, por duhet thënë ashtu. Që u gabuam.
Tash e sa vjet, jemi të kërcënuar nga vetvetja e jonë që zgjatet si AI (Inteligjencë Artificiale, apo edhe si Zot artificial).
Këtu, me siguri do të gabojmë. E dimë këtë, ama nuk e kemi ndërmend të ndalemi.
Ndoshta në fund na ndalë vetë AI.
Pasi Ai (Zoti), dhe Ai (Njeriu), u fshehën prej njeri-tjetrit dhe prej vetvetes, na mbetet Reality Show dhe AI.