Tre javë pas tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën, numri i viktimave ka kaluar 5000, ndërsa mijëra familje vazhdojnë të kërkojnë të afërmit e tyre nën rrënoja, shpesh pa ndihmën e autoriteteve.
Sipas të dhënave të përditësuara të publikuara nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, të paktën 5.069 persona kanë humbur jetën nga dy tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5, që goditën shtetin bregdetar La Guaira me vetëm 39 sekonda diferencë.
Mbi 16700 persona janë plagosur, ndërsa Kombet e Bashkuara vlerësojnë se numri i të zhdukurve mund të arrijë deri në 50 mijë, shkruajnë mediat.
Qindra ndërtesa janë shembur ose janë dëmtuar rëndë, duke lënë afro 20 mijë persona pa strehë. Shumë prej tyre jetojnë në kampe të improvizuara të ngritura në stadiume, sheshe publike dhe trotuare pranë kryeqytetit Caracas.
Ndërkohë, në zonat më të goditura, familjarët dhe vullnetarët vazhdojnë kërkimet mes rrënojave dhe tufave të mizave. Disa kanë marrë me qira makineri të rënda për të lëvizur pllakat e betonit në përpjekje për të nxjerrë trupat e të afërmve të tyre.
“Ka aq shumë njerëz të varrosur aty; askush nuk dëshiron t’i prekë të vdekurit”, tha 60-vjeçari Hildegar Mujica, i cili po kërkon ish-bashkëshorten e tij të mbetur nën rrënojat e një ndërtese 12-katëshe.
Ai akuzoi autoritetet për mungesë reagimi, duke thënë se shërbimet shtetërore nuk kanë treguar interes për trupat që ndodhen ende nën rrënoja. Sipas tij, disa trupa janë të dukshëm, por nëse nuk ka familjarë që t’i identifikojnë, ato mbeten të paprekura.
Për të përballuar kostot e rindërtimit, Venezuela ka siguruar 346 milionë dollarë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Qeveria ka bërë të ditur se fondet do të përdoren për strehimin e familjeve të prekura, rindërtimin e infrastrukturës dhe rikthimin e shërbimeve bazë publike.


