ASH: Ministria e Brendshme nuk po respekton Ligjin e ri për Shtetësinë

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se është bërë padrejtësi dhe nuk janë respektuar normat e ligjit të ri për shtetësi nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme e cila i mohon shtetësinë Fidrije Dalipit me arsyetimin se personi në fjalë nuk ka jetuar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut para 8 shtatorit 1991, edhe pse ajo është e martuar me një shtetas të Maqedonisë që nga viti 2008. Deputetja Ilire Dauti thotë se ligji parashikon marrjen e shtetësisë me natyralizim për personat që kanë kurorëzim për më shumë se 3 vjet me një shtetas në vendin tonë dhe kanë jetuar të paktën një vit në vend. Ligji i ri për shtetësi pritej të zgjidhë problemin me pashtetësinë të mbi 8 mijë personave, shkruan Alsat.

“Një përgjigje e tillë nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme jo vetëm që është e papërgjegjshme por është edhe e pasaktë për faktin se zonja në fjalë nuk ka të bëjë asgjë me përgjigjen që ka dhënë Ministria e Punëve të Brendshme. Zonja në fjalë nuk ka të bëjë me dispozitën kalimtare por ka të bëjë me nenin 9 të ligjit për shtetësi i cili rregullon shtetësinë e të huajve të cilët janë në marrëdhënie martesore me shtetas të Republikës së Maqedonisë siç është rasti konkret dhe i cili i detyron ata që të kenë jetuar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në një periudhë 3-vjeçarë apo një vit pa ndërprerë nga momenti kur ata aplikojnë apo bëjnë kërkesën”, deklaroi Ilire Dauti, Aleanca për Shqiptarët. /Alsat.mk