ASH-AAA: Korrupsioni dhe jotransaparenca në furnizimet publike me përmasa të një pandemie

Raporti nga monitoringu i furnizimeve publike i Qendrës për Komunikime Civile edhe një herë e ngre alarmin për jotransparencën dhe korrupsionin e lartë, të cilat Maqedoninë e Veriut po e mbajnë në fund të listës për nga shkalla e korrupsionit. Firmosja e marrëveshjeve në vlerë prej 11 milionë euro për furnizime publike në formë jotransparente mund me ndodhë vetëm në një shtet ku Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë shpikë “zgjidhje” softuerike dhe furnizime publike pa pasur nevojë dhe ku zv./kryeministri për Luftë Kundër Korrupsionit e luan rolin e inspektorit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Kështu Maqedonia e Veriut po shndërrohet në një shtet, që po të mos ishte tragjik, do ishte komik – në kohën kur kemi dikaster për parandalimin e korrupsionit, kemi rritje enorme të kësaj dukurie. Nisur nga kjo, AlternAtivA dhe Aleanca për Shqiptarët i apelojnë Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që urgjentisht të pezullohen dhe të hetohen në hollësi këto furnizime publike, me të cilat janë shpërdorur paratë e qytetarëve në këtë periudhë të vështirë pandemie./SHENJA