Asani: Çunat ia dalin edhe pa mua, Lerda nuk e kishte personale

Jasir Asani ishte i ftuari special në emision “Zona Gol” të gazetarit të SuperSportit, Alban Xhihani, mbrëmjen e kësaj të diele. 24-vjeçari, i cili zhvilloi ndeshjen e fundit me të kuqtë në fitoren 1-0 përballë Vllazninë foli për përvojën që kaloi në kryeqytet, marrëdhëniet me Lerdan dhe tema të tjera në lidhje me futbollin.

“Ku do të mund të luaja? Më pëlqen dhe Turqia si kampionat dhe mund të luaja dhe aty, por më shumë ndjek Spanjën dhe Anglinë. Enis Bardhin e kam shumë shok, pasi kemi luajtur me kombëtaren e Maqedonisë”.

Reali apo Barcelona? “Unë jam me Barcelonën dhe them që e fitojnë ata kampionatin. Më pëlqen Messi, përveç tij, është Buskets ai që bën diferencën”.

Terreni në “Selman Stërmasi”: “Pjesa e parë ishte mirë, ndërsa në të dytën u rëndua. Ishte një ndeshje shumë vështirë. Erdhi goli i Bitrit dhe më pas e morëm ndeshjen me qëtësi”.

Nota vetes: “Unë mendoj se do t’i jepja notën 5 ose 6. Unë nuk kam pasur shumë mundësi me trajnerin e ri. Kisha vështirësi dhe duhet të tregoja çdo ndeshje maksimumin, por futbolli i ka këto gjëra, njëherë do ulesh njëherë do ngrihesh. Jemi një ekip më shumë kualitet”.

Tronditja nga derbi: Mendoj që pas derbit, me Teutën, kishim raste të shumta. Unë kisha 4-5 të tilla dhe fati nuk ishte me ne. Kam shumë besim te çunat dhe do ia dalin prapë këtë vit për titullin”.

Karakteri: “Çdo futbollist ka gabimet e veta dhe duhet të përmirësohet çdo ditë e më shumë”.

Marrëdhënia me Lerdën: “Kam pasur përplasje, por nuk besoj se e ka pasur personale. Në çdo ndeshje luante me një formacion ndryshe. Nuk kam pasur asgjë me të. Të kishte ndonjë gjë kundra meje, duhet të ma kishte thënë dhe ia kam thënë në stërvitje. Trajneri u shpreh ndaj meje që nuk kishte asgjë dhe se donte të luante me skemën 3-5-2. Unë i thashë se do të jap maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje. Unë i kam thënë Lerdës se isha i gatshëm të luaja kudo, vetëm të isha titullar.”

Largimi me konsensus: “Sezonin e shkuar ishim një treshe e fortë përpara dhe isha gati të bëja çdo rol. Presidentit i kam thënë që do të vendosësh ti për të ardhmen time. Nga Partizani nuk do të ikja kurrë pa marrë lekë klubi. Pasi më kanë dhënë një besim dhe mundësi që të rritesha dhe nuk do të ikja pa ndihmuar klubin që e falënderoj”.