As pas 1 korrikut nuk mund të shkojmë në shtetet e BE-së?Dimitrov: Tash për tash pak shtete i plotësojnë kushtet

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov ka folur për informacionet se qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të mund të lëvizin drejt shteteve të Bashkimit Evropian edhe pas 1 korrikut. Ky informacion siç tha Dimitrov ende nuk është përfundimtar, por shtoi se tash për tash pak shtete të Ballkanit Perëndimor i plotësojnë kushtet për të qenë në listën e bardhë të BE-së.

“Dje pata një video-takim me kolegët e Ballkanit të cilin e realizoi eurokomesari Oliver Varheji. Mes të tjerash, u diskutua edhe kjo. Eurokomesari tregoi se procesi i konsultimeve vazhdon, se vendimet do të jenë në bazë të kritereve objektive për pasqyrën epidemiologjike në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Dje kam pasur bisedë telefonike me ministrin për punë të jashtme të Austrisë, Shallenberg dhe disa burime të tjera. mendoj se për momentin është e pakëndshme sepse ende nuk ka vendim, megjithatë për momentin pak shtete nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor do t’i përmbushin kriteret që të jenë në listën e bardhë të BE-së, megjithatë të presim dhe të shohim”, tha Dimitrov, njofton TV21.

Ai tha se kriteret do të përditësohen çdo 14 ditë, prandaj duhet të pritet edhe pak se cili do të jetë vendimi përfundimtar.

BE-ja kufijtë do t’i hapë më 1 korrik, por për shkak se disa shtete tash janë duke e përjetuar valën e dytë të virusit Kovid-19, rrezikohen që të kenë ndalesë për hyrje në shtetet e Bashkimit Evropian.