Arteta pishman: Nuk kam qenë korrekt me Nketiah

Eddie Nketiah ka shfrytëzuar për mrekulli besimin e dhënë nga Mikel Arteta për ndeshjen ndaj Chelsea.

Sulmuesi i Arsenal ishte ylli i mbrëmjes së kaluar, kur shënoi dy gola në fitoren 2:4 ndaj ‘Bluve’ të Londrës.

Pas ndeshjes, trajneri Mikel Arteta ka pasur disa komente pozitive për lojtarin. Madje ai u shpreh se ndihet keq për faktin që nuk ka qenë korrekt me lojtarin.

“Ajo që ka bërë Eddie sonte ndodhi për shkak të asaj që është bërë në 10 muajt e fundit dhe askush nuk e ka vënë re. I kam thënë se nuk kam qenë korrekt me të. Duhej t’i kisha dhënë më shumë minuta”, ka thënë Arteta, transmeton lajmi.net.

“Ne kemi probleme të tjera dhe nuk ka qenë e lehtë. Por, ai e ka merituar plotësisht atë që i ndodhi sonte”, shtoi trajneri spanjoll.

Nketiah ka kaluar nëpër akademinë e Chelsea, para se në vitin 2015 të kalonte tek Arsenali.