“Artani me mjekërr”

Shkruan: Sedat Sulejmani, Lëvizja Besa

Nga një parti me “vizion të lart kombëtar”, ASH u dëshmua se gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet parti patericë e BDI-së.

 

Kjo më së miri shihet në veprimet e eksponentëve të saj në pushtet. ASH-ja e Ziadin Selës, për një kohë të gjatë shiti patriotizëm, ndërsa tani e kontrolluar nga i nipi Krenar Lloga po del se na paska vepruar në mënyrë tinëzare dhe me servilizëm.

Ai i cili duke u paraqitur si Ministër më të suksesshëm, arriti vetëm të vulosi realizimin e planeve të BDI-së, duke rindëshkuar rastet e montuara kundër shqiptarëve si “Monstra”, “Almiri”, “Kumanova”, “Alfa” e të tjera.

Po ashtu shkoi dhe realizoi një sfilatë dhe foto-sesion me të burgosurit e pafajshëm në Idrizivë, por liruan nga burgu Sasho Mijallkovin me tajfën e tij dhe e zbatoi abolacionin e Gruevskit.

Aq të fokusuar në interesin e tij personal dhe të liderit të tij në hije Ali Ahmetit, Krenar LLoga arriti ta miratojë ligjin për kodin penal dhe ligjin për amnesti, por e bërë të dështoi edhe ligjin për vendosjen e identitetit shqiptar në letërnjoftime, ligj i cili ishte premtimi kryesor i ASH-së, tashmë me kryetar Arben Taravarin.

Kur ka dështuar në të gjitha aspektet në dikasterin e tij dhe thotë edhe vetë se në Maqedoni sot ka më shumë padrejtësi se dje, kjo do të thotë se e pranon hapur që ai dhe ASH-ja nuk erdhën në Qeveri për të sjellë drejtësi, por për të shpëtuar Alinë.

Dhe pas të gjitha këtyre dështimeve dhe servilizmave, deklaron se “nuk u merret me parti të vogla”. Pramendoni se sa i është rritur egoizmi që e ka pasur, por edhe ndjenja e të qenit i “madh”. Sigurisht kjo ndjenjë i lind dhe i shtohet vazhdimisht duke u shoqëruar vazhdimisht me shoferin e Ali Ahmetit, por ndoshta pak edhe nga daja i tij, i cili kreun e BDI-së e ngriti në qiell duke e madhëruar për idetë madhore të “Frontit Evropian”, i cili në fakt na rezultoi se është “fronti Soravia & Kazino”.

Lloga, nuk mbetet asgjë tjetër vetëm se një vegël për të ecur përpara idetë e krijuara nga Ali Ahmeti dhe të zbatuara nga Artan Grubi, cili po përpiqet të grumbullojë sa me shumë argat rreth vetes për të shpëtuar nga humbja në zgjedhjet e ardhshme. Por tash loja ka marrë një dimension tjetër, Artani dhe Krenari janë në garë se kush do i qëndrojë më afërt dhe kush i shërben më mirë Ali Ahmetit. Ose e thënë më thjesht, është shndërruar një kopje me mjekër e Artanit!