Arrestohet ndihmësi i një eurodeputeti gjerman, dyshohet se spiunon për Kinën

Një burrë, i cili punon për një ligjvënës gjerman në Parlamentin Evropian, është arrestuar si spiun i dyshuar i Kinës, thanë prokurorët gjermanë të martën.

I dyshuari, i identifikuar vetëm si Jian G. në përputhje me ligjet gjermane të privatësisë, u arrestua të hënën në Dresden, tha Prokuroria Federale e Gjermanisë në një komunikatë për media.

Ai ka punuar për ligjvënësin gjerman në legjislaturën e Parlamentit Evropian prej vitit 2019, sipas njoftimit.

Prokuroria nuk tregoi se për cilin ligjvënës punon ai, por transmetuesi publik gjerman, ARD, dhe revista Der Spiegel, raportuan se ai është i angazhuar nga Maximilian Krah, anëtari i partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë.

Maximilian Krah është kandidati kryesor i partisë gjermane për zgjedhjet e ardhshme në Parlamentin Evropian, që do të mbahen në qershor.

Jian G. akuzohet se punon për shërbimin inteligjent të Kinës dhe se vazhdimisht i ka dhënë informata asaj për bisedimet dhe vendimet në Parlamentin Evropian në janar. Prokurorët e akuzojnë gjithashtu edhe për spiunimin e disidentëve kinezë në Gjermani.

Lajmi për arrestimi e tij u bë i ditur një ditë pasi u arrestuan tre gjermanë të dyshuar si spiunë të Kinës në një rast tjetër. Ata dyshohet se i kanë dhënë asaj informata të teknologjisë./REL