Arnold i zhgënjyer me ndeshjen ndaj Bournemouth

Mbrojtësi i Liverpoolit, Trent Alexander-Arnold thotë se performanca e ekipit të tij kundër Bournemouthit të shtunën ishte e papranueshme.
Bournemouth u ngjit nga fundi i Premier Ligës me një fitore befasuese 1-0 ndaj Liverpool të shtunën.

Sulmuesi i Liverpool, Mohamed Salah humbi një penallti në pjesën e dytë për Reds, dhe Alexander-Arnold mendon se Bournemouth thjesht donte fitoren më shumë se Reds.

“Kjo është koha e sezonit kur të gjithë e dinë se për çfarë po luftojnë dhe padyshim që Bournemouth është në një betejë për rënie”, tha ai për faqen zyrtare të klubit.

“Ata po luftojnë për mbijetesë. Por çdo skuadër në ligë po lufton për diçka, kështu që do të thotë shumë për të marrë tre pikët. Mendoj se duke e parë atë tani, ata ndoshta e donin më shumë se ne dhe kjo është diçka që është e papranueshme. dhe ne duhet të sigurohemi që kjo lloj gjëje të mos ndodhë më”, shtoi anglezi.

Kujtojmë që Liverpool rikthehen në aksion më 15 mars (e mërkurë), nga ora 21:00 ndaj Real Madridit në ndeshjen e dytë për një vend në çerekfinale të Ligës së Kampionëve (ndeshja e parë u mbyll 5:2 në favor të klubit mbretëror).