Argjentina fiton dhe ia vështirëson punët Kilit për kualifikim në Kupën e Botës

Argjentina ka shënuar fitoren e nëntë në 14 ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës, duke e mposhtur në udhëtim Kilin me rezultat të ngushtë 1:2.

Argjentina kështu e vazhdon pa humbje këtë kampanjë, duke arritur nëntë fitore dhe pesë barazime.

Ishte Angel Di Maria i cili zhbllokoi shifrat qysh në minutën e 10-të të ndeshjes, pas asistimit të De Paul, shkruan Gazeta Express.

Nuk vonoi shumë dhe erdhi përgjigja e Kilit, që barazuan në minutën e 21-të përmes Brereton.

Megjithatë, Lautaro Martinez e riktheu epërsinë e mysafirëve në minutën e 34-të, e që në fund doli edhe epilogu i këtij takimi.

Në pjesën e dytë nuk kishte më gola, ndërsa u dhuruan gjithsej shtatë kartonë të verdhë, katër për Kilin dhe tre për Argjentinën.

Me këtë fitore, Argjentina shkon në kuotën e 32 pikëve në vendin e dytë, katër më pak se Brazili. Të dy këto kombëtare veçse e kanë siguruar kualifikimin në Kupën e Botës.

Në anën tjetër, Kili mbetet i shtati me 16 pikë, tri më pak se vendi i katërt që garanton kualifikimin tutje dhe një më pak se vendi i pestë që dërgon në play-off. /Gazeta Express/