Arbën Xhaferi i dha dritë një epoke

Nga Abdulla Mehmeti

Arbën Xhaferi u lind më 24 janar 1948 në Tetovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në qytetin e lindjes, kurse studimet në degën e filozofisë në Universitetin e Beogradit.

Si student u dënua me burg për bindjet e tij politike dhe pjesëmarrje në demonstratat e vitit 1968 në Tetovë, për çka u detyrua të largohet nga vendlindja dhe të kërkojë strehim e punë në Prishtinë.

Nga viti 1975 deri në vitin 1990 punoi në Radiotelevizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës i programit të kulturës. Më vonë punoi si analist dhe bashkëpunëtor në të përjavshmet “Koha” të Veton Surroit dhe “Forum” të Adem Demaçit, si dhe në disa media të tjera shqiptare dhe të huaja.

Në vitin 1993, Arbën Xhaferi u kthye në vendlindje, për ta vazhduar veprimtarinë e tij intelektuale dhe politike. Në vitin 1994 u zgjodh kryetar i Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH).

Gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001, Arbën Xhaferi dha një kontribut të veçantë, sidomos për nënshkrimin e Marrëveshjes së Prizrenit dhe arritjen e Marrëveshjes së Ohrit. Qasja konstruktive e Xhaferit në atë kohë u përkrah nga faktori ndërkombëtar, duke e legjitimuar luftën e shqiptarëve dhe nisur kështu bisedimet që përfunduan me Marrëveshjen kornizë të Ohrit, për ndërrimin e konceptit njëetnik të shtetit.

Pas drejtimit të Partisë Demokratike Shqiptare për gati një dekadë, në zgjedhjet parlamentare të 15 shtatorit 2002, Xhaferi me partinë e tij kaluan në opozitë, por funksionin e kryetarit të partisë (PDSH) e mbajti deri në vitin 2007.

Mes tjerash, Arbën Xhaferi dha një kontribut të çmuar edhe për Universitetin e Tetovës dhe afirmimin e tij, duke u bërë pjesë e pandarë e drejtuesve të këtij universiteti, me nënshkrimin e aktit për fillimin e punës së tij, më 17 dhjetor 1994, si dhe pjesëmarrjen në delegacionet e përfaqësuesve të partive politike, asociacioneve jopolitike dhe drejtuesve të Universitetit të Tetovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shkurt të vitit 1995 dhe në qershor të vitit 1996, me çka u sigurua një përkrahje më e gjerë për Universitetin e Tetovës dhe arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni, nga SHBA, OKB dhe institucionet tjera ndërkombëtare.

Ai u dallua si politikan dhe sidomos si intelektual, i cili la pas vetes një numër të konsiderueshëm shkrimesh publicistike, analiza dhe vështrime politike, intervista, artikuj dhe studime të tjera, të cilat shquhen për thellësinë e mendimit dhe qasjen intelektuale.

Arbën Xhaferit, si shumicës së politikanëve të kësaj periudhe, u përshkruhen edhe gabime e dështime, sidomos në politikë, megjithatë, nëse rëndojnë të mirat ndaj dobësive, shqiptarët duhet t’i vlerësojnë dhe nderojnë disa nga figurat politike dhe intelektuale të kësaj periudhe, sepse vërtet kanë qenë aq të paktë në numër sa mund të numërohen në gishta. Puna tjetër u takon studiuesve, biografëve të tyre, i takon historisë.

Arbën Xhaferi ka publikuar dy vepra, edhe të: “PDSH-ja jo në letër”, dhe “Sfidat e Demokracisë në Shtetet Multietnike”. Pas vdekjes është botuar edhe kompleti i veprave të tij.

Arbën Xhaferi ndërroi jetë më 15 gusht 2012.

Lavdi e përjetshme!