Apartamenti misterioz i Kadaresë – dy hyrje, një dhomë e ndaluar

I hapur në maj të vitit 2019 muzeu “Shtëpia-studio Kadare” është bërë adresë e shumë dashamirëve të fjalës së shkruar, e studentëve e lexuesve, e gazetarëve, e studiuesve, që duan të ecin nëpër dhomat ku shkrimtari më i përkthyer shqiptar shkroi veprat e veta. Ismail Kadare, që sot jeton në qendrën e kulturës botërore – në Paris, kaloi një periudhë të rëndësishme të jetës së vet në kryeqendrën e Shqipërisë Komuniste, në këtë apartament, ku edhe shkroi pjesën dërrmuese të veprave të tij. Aty sot me fanatizëm ruhen e ekspozohen dorëshkrimet, librat, gjësendet e orenditë që dikur përdoreshin nga shkrimtari. Një ecje nëpër dhomat e kësaj banese na mundëson ta njohim edhe më mirë mjeshtrin e letrave shqipe. shkruan tutje “Zeri”

Autorët kosovarë, vend të veçantë në bibliotekën e Kadaresë

Ndonëse në Tiranë njihet edhe si “Pallati me kuba”, për shkak të stilit, referenca më e shpeshtë për banesën e ndërtuar në fillim të viteve ’70-a është “Apartamenti i Kadaresë”. E kështu ishte edhe para se të hapej ky muze. Ciceronia e këtij muzeu Erlida Selaj tregoi për gazetën “Zëri” se familja Kadare ishte vendosur këtu qysh në vitin 1974 dhe jetoi aty deri kur iku nga Shqipëria për të kërkuar azil në Francë. Brenda kësaj ndërtese, në të cilën ai jetoi me familjen edhe në kohët më të errëta të komunizmit, aty ku u rritën vajzat e tij e u shkruan disa nga veprat kryesore të shkrimtarit, sot hyjnë e dalin vizitorët. “Këtu në fakt janë dy apartamente të bashkuara në një. Si ndërtesë është kjo, është ndërtuar në fillim të viteve ’70-a. Kadareja ka hyrë këtu në vitin 1974 bashkë me familjen e vet. I gjithë mobilimi është origjinal i shtëpisë”, tregon për gazetën “Zëri” Selaj.

Me të hyrë në apartament të bie në sy një vizatim, i cili tregon se aty dikur ndodhej një sobë e drurit.

“Ngrohja me sobë ka qenë taksative në atë kohë në Shqipëri”, thotë Sulaj, e cila tregon se pjesa më e rëndësishme e dhomës hyrëse të shtëpisë, ku priteshin mysafirët e familjes Kadare dhe adhuruesit e shkrimtarit, ishte biblioteka, të cilën vizitorët mund ta shohin sot. “Në këtë dhomë priteshin të gjithë vizitorët e familjes, por edhe dashamirët e shkrimtarit.

Këtu kush nuk hynte, kështu që biblioteka që ndodhet këtu ishte një bibliotekë brenda kornizave dhe nuk përmbante libra të ndaluara”, thekson Sulaj, teksa tregon me radhë revistat që Kadareja koleksiononte, si dhe librat e pëlqyera.

“Është interesante se shumica e autorëve, që janë këtu, janë kosovarë. Kadareja donte të ishte në kontakt dhe të dinte se çfarë po ndodhte me shkrimtarët jashtë kufijve të shtetit shqiptar”, tregon ajo.

Kur ua hedhim një sy orendive shohim se ato janë të gjitha të ruajtura nga koha kur familja Kadare jetonte aty. Kjo vërehet qartë nga stili tipik i viteve 1960 – 1970-a, ku dominon druri.

Tri frymëzimet e Kadaresë

Njëra nga raftet më të veçanta të bibliotekës në dhomën e pritjes është ai që u dedikohet frymëzimeve, librave dhe elementeve, të cilat e karakterizojnë letërsinë e Kadaresë. Qyteti ku ai ka lindur – Gjirokastra e gurtë, që ndihet në gjithë krijimtarinë e tij, pasqyrohet përmes një rafti, në të cilin janë renditur të gjitha veprat e shkrimtarit që lidhen me vendin e tij të lindjes. Këtu përmendim “Princeshën Argjiro”, “Kronikën në gurë”, “Qyteti verior” etj.

Në raftin tjetër vijojnë autorët klasikë grekë, por jo vetëm, si dhe librat e mitologjisë. S’ka si të mungojë “Makbethi” i Shekspirit, që është nga autorët e tij të pëlqyer. Në raftin e tretë rendit librat nga Moska, vendi ku siç dihet ai ka studiuar. Si objekt i çmuar në këtë muze ruhet ditari i tij personal nga koha e studimeve në Rusi. “Ky është objekti më me vlerë që kemi në shtëpi, sepse është ditari personal nga koha e studimeve në Moskë dhe ai ka dashur ta hapim këtu: është mbarimi i një liste gocash dhe fillim i një liste tjetër. Po flasim për vitet 1959 – 1960 dhe vajzat që ai ka takuar”, thotë ciceronia, shkruan gazeta “Zeri”.

Ata që e kanë vizituar apartamentin Kadare në kohën kur familja jetonte aty e mbajnë mend një gramafon të madh, i cili ishte vendosur në dhomën e pritjes. E pllakat përmes të cilave shkrimtari dëgjonte muzikë ruhen ende në bibliotekën e kësaj dhome. Kur ia hedh një sy kupton se shkrimtari dëgjonte mjaft muzikë të ndaluar asokohe në Shqipëri. Siç duket ai preferonte Michael Jacksonin, “Sting”-un, “ABA”-n, Elvis Presleyn etj.

Dhoma e ndaluar

Për dallim nga dhoma e pritjes, ku hynin e dilnin shumë mysafirë, studioja e punës e Kadaresë ishte një vend privat ku rrallë hynte ndonjë mik i afërt, përveç anëtarëve të familjes së ngushtë. Një oxhak me një kolltuk pranë, rafti i bibliotekës personale, si dhe tavolina e punës janë elementet, të cilat e përbëjnë studion me mure jeshil, ku ulej çdo mëngjes e shkruante shkrimtari. Edhe sot në këtë “Studio-Shtëpi Muze” ruhet makina e shkrimit “Hermes Baby”, ku u shtypën romanet që u shkruan asokohe, duke përfshirë këtu “Dimri i vetmisë së madhe”, “Prilli i thyer” e “Pallati i ëndrrave”.

Ndryshe nga biblioteka e dhomës së pritjes, në bibliotekën e tij personale zinin vend shumë libra që ishin të ndaluar në Shqipërinë e asaj kohe, bie fjala “Dekameroni” i Bokaços, veprat e Ernest Heminguejt etj. Ajo çka bie në sy është se shumica e librave në bibliotekën e tij personale janë në gjuhën ruse, pastaj në gjuhën frënge dhe në gjuhën angleze. “Dhoma e ndaluar” kishte edhe një element të ndaluar. Ndonëse për gjeneratat e reja mund të tingëllojë e pakuptimtë, oxhaku nëpër apartamente ishte i ndaluar në Shqipërinë komuniste për arsyen e vetme, sepse shihej si simbol i borgjezisë.

“Oxhaku është bërë me kërkesë të Ismailit. Maks Velo, arkitekti i ndërtesës, ishte mik shumë i mirë i Kadaresë dhe ia ka plotësuar dëshirën. Është i vetmi apartament i cili ka oxhak, sepse në atë kohë ishte e jashtëligjshme të kishe një të tillë në apartament”, theksoi ciceronia. Megjithatë ky oxhak i ndaluar u bë vend i veçantë për shkrimtarin, sepse rutina e tij e shkrimit ndodhte pikërisht aty në kolltukun para oxhakut.

Duke dëgjuar zhurmën e druve që digjeshin në oxhak në dimër e në verë Kadareja ulej mëngjeseve në kolltukun e tij dhe shkruante në bllokun e vet të bardhë. Të gjitha frymëzimet dhe rreshtat që shkruante në mbrëmje transkriptoheshin me makinë nga e shoqja, Helena.

Dera e sekreteve, e lirisë dhe e ikjes

“Kisha hyrë në mbretërinë e fjalëve. Kjo ishte një tirani e pamëshirshme”. Këto fjalë shkruhen në tavanin e korridorit të apartamentit, i cili ndan kuzhinën nga dhoma e çiftit Ismail e Helena Kadare, dhe ajo e vajzave Gresa e Besiana e që në ballë ka gjënë e rrallë për një apartament: hyrje-daljen e dytë. Edhe kjo derë dytësore, nga e cila hynin e dilnin vetëm familjarët dhe miqtë e ngushtë, ishte kërkesë e veçantë e Kadaresë për arkitektin Velo. Një të ngjashme ai e hapi më pas edhe në apartamentin e shkrimtari Dritëro Agolli, që ndodhet sipër atij të Kadaresë, në katin e katërt. Në këtë derë sot është e vendosur një thënie e Sabaldit, i cili thotë: “Shpeshherë pyes veten cilat janë ato lidhje të padukshme që i përcaktojnë jetët tona dhe si ato lidhen prej fijeve të ndryshme”. Një lidhje e padukshme me botën përjashta ishte për Kadaretë edhe kjo derë. Dijeni për këtë derë kishin vetëm familja e ngushtë dhe miqtë e afërt. Pra nga kjo derë hynin vetëm njerëzit e afërt të tij. Mysafirët e tjerë, postieri, ftesat zyrtare, gjithçka vinte nga dera kryesore. Ky ishte vërtet një sekret”, thotë për gazetën “Zëri” Selaj.

Një nga pjesët e menduara mirë të këtij muzeu është edhe kronologjia e punës së tij e pasqyruar në murin e dhomës së pritjes dhe në atë të parastudios, në të cilin shihet se çka dhe sa ka shkruar Kadareja secilin vit. Ky muze ka edhe “Dhomën e Gjeneralit”, që dikur ishte dhoma e vajzave e sot i dedikohet veprës më të famshme të tij – “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, si dhe kuzhinën, e cila shërben si dhomë ku përmes katalogëve flitet për kontributin e Ismailit dhe të Helena Kadaresë në kinematografi. Dhoma e çiftit Kadare shërben si hapësirë pune e hulumtimi. Aty stafi i muzeut po digjitalizon dorëshkrimet dhe veprat e tij për t’i bërë pjesë të arkivit të vet. Ky muze është në përkujdesjen e Bashkisë së Tiranës. Pritet që së shpejti si muze të hapet edhe apartamenti i Dritëro Agollit dhe kështu të bëhet një muze i përbashkët i letërsisë.