Këngëtarja shqiptare, Ronela Hajati, ka vendosur të bëhet zëri i solidaritetit duke anuluar aktivitetet e saj muzikore të planifikuara për këtë fundjavë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ronela ka njoftuar se publikimi i këngës së saj të re në bashkëpunim me Capital T do të shtyhet për ditën e hënë, ashtu siç janë anuluar edhe koncertet apo eventet e tjera të fundjavës.
Në mesazhin e saj, Ronela thekson se ky vendim vjen si një shenjë respekti ndaj ngjarjeve të fundit që po tronditin vendin. “Si një vajzë që s’jam përfshirë kurrë në politikë, fare e pavarur, më duket gjëja më e vogël në respekt të një populli që është i vetmi që në fund të ditës më ka dëgjuar, rritur dhe mbështetur,” shkruan ajo, duke vendosur rëndësinë e kauzës përpara argëtimit.
Në fund të njoftimit të saj, këngëtarja u ka bërë thirrje ndjekësve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës që do të mbahet sot në orën 18:00.
“Do kemi kohë për të kërcyer e për të dëgjuar muzikë gjithë kohës. Btw sot në 18:00 ka protestë, shihemi,” përfundon Ronela.



