Angellovska: Herët të flitet për dëmet financiare nga koronavirusi

Është herët të flitet me numra për dëmet financiare për shkak të koronavirusit, situata po ndiqet me kujdes, ndërsa Buxheti shtetëror është në kondicion të mirë në dy muajt e parë dhe kemi kapacitet në çdo moment të përballemi me çfarëdo lloj goditjesh, thotë ministrja e Financave, Nina Angellovska.

Reagim fillestar, tha, pati në tregun e kapitalit, ndërsa tani për tani janë të mundshme pasoja eventuale në veprimtarinë e transportit dhe atë turistike për shkak të aranzhmaneve të anuluara, si dhe industrinë e lëkurës që bashkëpunon me rajonin e Italisë veriore.

“Asgjë nuk mund të presim, megjithatë ndjekim dhe duhet të jemi vigjilentë dhe të intervenojmë apo parandalojmë kudo qoftë, ndjekim dhe e kemi kapacitetin, për atë po diskutohet edhe në kuadër të Qeverisë, megjithatë, konsideroj se lidhur me çfarëdo lloj analizash apo kualifikimesh, nuk do të ishte serioze të dalim menjëherë me disa numra”, deklaroi Angellovska, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në konferencën për shtyp në Qeveri me rastin e fillimit të projektit për rrugë lokale.

Siç theksoi, reagimi i parë gjatë një gjendje të këtillë është çdoherë tek tregu i kapitalit, siç ishte rasti edhe tek ne me rënien e paradokohshme të Indeksit të Bursës së Maqedonisë, por përvoja tregon se vjen deri te stabilizimi.

“Atë që po shohim është se ja, ka aranzhmane të anuluara turistike, këtu ndikon shtyrja e caktuar e aranzhmaneve tek agjencitë turistike, tek veprimtaria e transportit. Ndonjë veprimtari tjetër në të cilën ndoshta eventualisht do të ndjehej edhe pse nuk flasim për krizë, flasim për analizë momentale, është industria e lëkurës e cila ka këmbim me Italinë. Do të thotë, në përgjithësi flasim për ndjekje vigjilente, siç tha edhe kryeministri, preventivë, gjithsesi edhe në korniza, para së gjithash, dhe më me rëndësi është shëndeti dhe shëndetësia, por gjithsesi edhe në kuadër të ekonomisë, sepse shëndeti ndikon edhe në ekonominë dhe anasjelltas, ekonomia ndikon në shëndetin”, tha Angellovska.

Kryeministri Oliver Spasovski, ndërkaq bën thirrje për vetëdije të rritur tek qytetarët për përballje sa më të mirë të mëtutjeshme me rrezikun nga përhapja e koronavirusit.

“Më me rëndësi ishte si të ndërpriten rrugët e bartjes së koronavirusit. Mendoj se tani për tani të gjithë së bashku, edhe qytetarët, edhe institucionet dhe mediumet, arritëm të përballemi mirë. Unë vetëm bëj thirrje për vetëdije të shtuar tek qytetarët lidhur me ndihmën për atë që nevojitet secili prej nesh të bëjë në mënyrë që të kemi përballje të mirë edhe me këtë gjendje, me këtë krizë”, deklaroi Spasovski.

Rekomandimet e vendosura për mbrojtje nga koronavirusi që të mos mbahen tubime publike vazhdojnë edhe këtë javë, deri më 6 mars. Gjatë fundjavës u anuluan tubime publike, ndërkaq u anuluan edhe karnavalet në Prilep dhe në Strumicë. Rast të ri të konfirmuar të koronavirusit në vend nuk ka, ndërsa gruaja e cila ndodhet në Klinikën infektive që nga java e kaluar si pozitive ndaj virusit Kovid-19 është në gjendje të mirë shëndetësore.

Në fuqi janë edhe rekomandimet që kompanitë dhe institucionet të mos u lejojnë të punësuarve të cilët këtë periudhë kanë qenë në Itali, të vijnë në punë, sepse duhet të kalojnë 14 ditë në izolim shtëpiak – periudhë sa zgjatë inkubacioni i virusit, si dhe të mos udhëtohet në vendet ku ka epidemi, pa ndonjë nevojë tejet të madhe.