Analiza e Zhurnalit: Nuk mbajnë pohimet e Grubit për defaktorizimin e shqiptarëve nga modeli zgjedhor me njësi

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut së fundmi është dorëzuar një propozim për ndryshim të Kodit Zgjedhor e përmes së cilës, vendi nga gjashtë të bëhet vetëm me një njësi zgjedhore. Përpos kësaj, kërkohet që në zgjedhjet lokale të ketë lista të hapura, shkruan Zhurnal.

Përmes kësaj iniciative, konsiderohet se vendi do të sigurojë një model më demokratik, që nga njëra anë paraqet mundësi për të gjitha subjektet politike të marrin pjesë në zgjedhje dhe të zgjedhen, si dhe votat e qytetarëve të mos humbin, por të shkrihen në deputetë në Parlament, ndërsa nga ana tjetër, mundësi për qytetarët që direkisht të sqarohen se kujt do i japin prioritet në zgjedhjet lokale.

Ndaj kësaj iniciative pozitivisht i’u përgjigj vetëm partia e kryeministrit Zaev, LSDM. Madje Zaev thotë se kjo ka qenë një nga premtimet e partisë së tij para zgjedhjeve parlamentare.

Kryeministri Zaev shpreson se do të arrihet konsensus për ndryshim të modelit zgjedhor me një njësi zgjedhore, duke përsëritur se me këtë humbin partitë e mëdha duke përfshirë dhe LSDM, por sipas tij, do të menjanohet mundësia për çfarëdo sjellje autoritare në të ardhmen.

Për këtë, u organizua dhe një mbledhje në hapësirat e Parlamentit të vendit, ku duheshte të debatojnë partitë më të mëdha në vend. Por, kësaj ftese nuk i’u përgjigjën Bashkimi Demokratik për Integrim dhe VMRO-DPMNE. Kjo nga shkaku se këtyre dy partive nuk i’u konvenon modeli me një njësi zgjedhore.

Mundësinë për një njësi zgjedhore madje e përkrahë edhe presidenti i vendit Stevo Pendarovski. Ai më parë ka kërkuar të diskutojnë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor në sistem proporcional me më pak njësi zgjedhore dhe me lista të hapura dhe pa prag zgjedhor apo prag minimal të votave të nevojshme, me qëllim zgjerimit të përfaqësimit politik në Kuvend.

Sa i përket partive, së fundmi negativisht janë përgjigjur vetëm VMRO-DPMNE dhe BDI. VMRO-DPMNE kërkon të ketë 120 njësi zgjedhore, ndërsa BDI nuk pranon vetëm një përshkak se siç thotë anëtari i kësaj partie Artan Grubi, kjo do të defaktorizonte shqiptarët. Ai më tej shton se kjo është një përpjekje për të defaktorizuar shqiptarët dhe për ta bërë të parëndësishëm parimin e Baditerit si shumicë e dyfishtë që parandalon margjinalizimin dhe mbivotimin në Kuvend. Sipas tij, me një njësi zgjedhore, BDI fiton në mënyrë absolute tek shqiptarët, por humbet kombi shqiptar në Maqedoni sepse siç tha, digjen mandatet.

Për të parandaluar këtë iniciativë, BDI në stilin e VMRO-DPMNE-së siç bënte para pak kohësh për të bllokuar ndonjë propozim ligj, dje ka ngritur madje 5000 amandamente. Me këtë, automatikisht bllokohet çfarëdo votimi të ligjit lidhur me Kodin Zgjedhor sepse siç është e ditur, edhe dy muaj jo të plota Kuvendi do të shpërbëhet dhe kjo periudhë nuk mjafton për të debatuar për të gjitha amandamentet.

Por të ndalemi tek pohimet e Grubit që thotë se me një njësi zgjedhore defaktorizohen shqiptarët. Nga doli kjo statistikë e tij e pakuptimtë. Ai thotë se shqiptarët do të humbnin deri në 10 deputetë por Grubi nuk e spjegon siç duhet se si do të humbnin shqiptarët nga kjo iniciativë?

Të marrim shembull zgjedhjet e fundit parlamentare ku partitë shqiptare fituan vetëm 20 vende të deputetëve.

BDI me 86.796 vota fitoi 10 deputetë, që do të thotë se për një deputet janë nevojitur 8670 vota, ndërkaq partitë tjera më të vogla janë diskriminuar sepse për ta, për një deputet janë nevojitur nga 11.500 e deri në 15.500.

Lëvizja Besa kishte fituar 57.868 vota dhe fitoi vetëm 5 deputetë, që mesatarisht i bie të kenë nga 11.570 vota për çdo deputet.

Aleanca për Shqiptarët kishte gjithsej 35.121 vota dhe fitoi vetëm 3 deputetë, që mesatarisht i bie për çdo deputet të kenë nga 11.700 vota.

PDSH me 30.964 vota ka fituar vetëm 2 deputetë, që i bie se për çdo deputet është dashur të mbledhë nga 15.480 vota.

Duke patur parasysh që në zgjedhjet e fundit diku 70 mijë vota shqiptare shkuan në konto të LSDM-së, atëherë i bie që shqiptarët në zgjedhjet parlamentare do të kishin mbi 280 mijë vota ose rreth 32 deputetë.

Kështu, bien në ujë të gjitha pohimet e Artan Grubit i cili thotë se shqiptarët do të defaktorizoheshin me një njësi zgjedhore.

Shembullin më të mirë e kemi në Kosovë ku parashihet që 120 vendet e Kuvendit të ndahen në bazë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme që i ka fituar secili subjekt politik. Votat e vlefshme nga secili subjekt pjesëtohet me 1, 3, 5 e kështu me radhë, derisa numri i pjesëtuesve të shfrytëzuar t’i përgjigjet numrit të plotë të vendeve. Kjo metodë ndryshe njihet si formula e Sainte-Lague dhe sipas saj ndarja e mandateve bëhet në mënyrë proporcionale me anë të koeficientit. Në Kosovë, secila parti duhet të kalojë pragun e vendosur prej 5% të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, për të hyrë në Kuvend. Prej 120 ulesve, 20 janë të rezervuara për komunitetet më të vogla. Prej tyre, 10 për serbët dhe 10 së bashku për boshnjakët, ashkalitë, romët, turqit, etj.

Sa i përket qëndrimeve të partive të tjera, para dy muajve nga Lëvizja Besa u shprehën se është paksa e rrezikshme të shkohet në një njësi zgjedhore, ndërsa Aleanca për Shqiptarët propozon që të shkohet me tetë njësi zgjedhore dhe me lista të hapura. Sipas ASH-së, 8 njësi zgjedhore është më e përshtatshme, më e drejtë dhe model që i jep mundësi përfaqësimi maksimal të qytetarëve edhe në aspekt etnik edhe në aspekt rajonal. Sipas tyre, jo të gjitha njësitë zgjedhore do të nxjerrin numër të barabartë të deputetëve, por do të kishin deputetë aq sa kanë dhe votues, pra në përpjesëtim me numrin e votuesve që kanë ato njësi./Zhurnal