Po trashet dashuria: Tre deputetë të VMRO-së votojnë propozimin e BDI-së në Parlament (Dokument)

Përveç në Komisionin për emërime ku VMRO-DPMNE përkrahu propozimin e BDI-së për në Këshillin Gjyqësor, e njëjta ka ndodhur edhe në mbledhjen e Kuvendit të Maqedonisë, thonë burime parlamentare. Gazeta Lajm ka siguruar listingun e votimit, ku shihet qartë që tre deputetë të VMRO-DPMNE-së, kanë votuar pro propozimit të BDI-së.
“Aq vota nevojiteshin që propozimi i BDI-së të kalojë, aq votuan. Po të ishin nevojitur 10 vota, me siguri aq deputetë të VMRO-së do ta kishin përkrahur propozimin e BDI-së”, thojnë burimet tona në Kuvend.
Si shembull për koordinimin që sipas tyre ekziston në relacionin VMRO-BDI, ata e përmendin faktin që propozimin e BDi-së për në Këshillin Gjyqësor e ka votuar edhe koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
“Përveç Micevskit, për propozimin e BDI-së kanë vouar edhe deputetët Ivan Ivanov dhe Stojan Millanov poashtu nga radhët e VMRO-DPMNE-së”.

Ndryshe, nënkryetari dhe deputeti i LSDM-së, Muhamed Zeqiri, në një deklaratë për Gazetën Lajm dje ka vlerësuar se VMRO-DPMNE dhe BDI po veprojnë në koordinim mes veti dhe se ky koordinim është prej më herët.